Futboll

Gega jep dorëheqjen nga Kukësi, trajneri i dytë i larguar në 4 javë

Gazeta Si – Ky kampionat ka nisur keq për trajnerët e skuadrave të Superiores. Jemi ende në javën e 4-t dhe kemi dy largime zyrtare trajnerësh. Pas Arapit te Teuta, ishte radha e Skënder Gegës te Kukësi.

Gega dha dorëheqjen pas rezultateve të dobëta të Kukësit, që ka marrë vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme. Klubi e ka pranuar dorëheqjen e tij dhe tashmë është duke punuar për zëvendësuesin.

‘Kukësi njofton ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Skënder Gega. Pas rezultateve të ndeshjeve të para, trajneri Gega ka paraqitur dorëheqjen në klub dhe pavarësisht besimit që i është dhënë, nuk ka bërë kthim pas”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubi kuksian.

Trajneri Gega, pas dorëheqjes, u shpreh: “Falënderoj klubin dhe Presidentin e nderit Safet Gjici për mbështetjen dhe besimin. Falënderoj gjithë bashkëpuntorët, por besoj se kjo është më e mira në këtë situatë”.

Për momentin, Igli Allmuça, ish-lojtar i Kukësit, duket më pranë stolit të këtij ekipi. Ka edhe trajnerë të tjerë të Superiores që janë të rrezikuar për t’u larguar, pasi rezultatet e deritanishme janë zhgënjyese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë