Biznes

Gazsjellësi gjigant, rusët “rrethojnë” Ballkanin

Turkatream

Nga Xhuliana Toci- Një gazsjellës i madh po ndërtohet mbi rezervat e gazit në Rusi, për të furnizuar me energji Turqinë, Evropën Jugore dhe Juglindore, si edhe një pjesë të Ballkanit, një projekt sa ambicioz aq edhe misterioz.

“TurkStream” është marrë përsipër nga komapania “Gazprom” dhe do të përbëhet nga dy tubacione paralele që kalojnë përmes Detit të Zi. Ato u futën në det në bregun rus të Anapasit dhe dolën në bregdetin turk rreth 100 kilometra në perëndim të Stambollit, pranë fshatit Kiyikoy, në 30 prill të këtij vitit. Por nuk mbaron me kaq, sepse pjesa e dytë e tubacionit përfshin edhe Europën dhe Ballkanin. Nga Kiyikoy, do të ndërtohet një tubacion nëntokësor i cili do të vazhdojë deri në kufirin turko-evropian, për të hyrë më pas në Ballkan.

TurkStream nga Rusia ne Turqi

Si u prit projekti në Ballkan?

Në fillim të korrikut, Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, njoftoi se do të nënshkruante një marrëveshje për t’u bërë pjesë e gazsjellësit ruso-turk. Ai gjithashtu nënshkroi një marrëveshje me Serbinë fqinjë, sipas të së cilës marrëveshjes Beogradi do të marrë 10 miliardë metra kub të gazsjellësit turk.

Më 29 qershor, kur Aleksandar Vuçiç mori postin e presidentit serb, Ana Brnabiç u bë kryeministrja e re e vendit. Duke folur në parlament ajo kërkoi një "politikë të ekuilibruar të jashtme" dhe tha qeveria e saj do të synonte për ndërtimin e marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën.

Më 5 korrik, qeveria e Hungarisë gjithashtu nënshkroi një marrëveshje për të marrë gaz nga gazsjellësit turk. Pak muaj më pare, Presidenti rus vizitoi Budapestin, ku edhe diskutoi me Kryeministrin Orbán pjesëmarrjen e Hungarisë në “TurkStream” si dhe ndërtimin e centraleve bërthamore ruse në Hungari.

"TurkStream"

Nga ana tjetër, në Kongresin Botëror të Naftës në Stamboll, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e bëri të qartë se Turqia synon të bëhet një qendër energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut.

Shkurtimisht të gjitha pjesët e mozaikut po bashkohen për një organizim të ri, i cili duket se po ndodh midis shteteve të Ballkanit, Rusisë dhe Turqisë.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për gaz natyror dhe energjisë bërthamore nga Rusia me Hungarinë, Republikën Çeke, Serbinë, Bullgarinë dhe Turqinë, duket se janë pritur me ankth nga Uashingtoni dhe Brukseli. Fakti që tani disa kombe të Ballkanit po përmirësojnë qartë marrëdhëniet e tyre ekonomike me Rusinë dhe me Turqinë nënvizon faktin se Bashkimi Evropian ka filluar të humbasë terren.

Ku do të kalojë gazësjellësi?

Tubacionet e "Turkstream"

Për të shmangur ligjet ndëshkuese të BE-së, gazsjellësi ruso-turk kalon përmes Turqisë dhe përfundoi në kufirin turko-bullgar, ndërsa pjesa e dytë e tij mund të përfundojë në afërsi të kufirit me Greqinë, për tu bashkuar më pas në TAP-in.

Duke qenë së ligjet e Brukselit e ndalojnë Gazpromin që të ndërtojë tubacionet e veta të gazit brenda BE-së, gazsjellësi ruso-turk planifikon ta transformojë Ballkanin në një tranzit të rëndësishëm për furnizimin me gaz në Europë por gjithashtu mund të rrisë varësinë e rajonit nga Rusia.

Projekti i ri është mirëpritur nga disa qeveri rajonale, duke përfshirë Bullgarinë, Serbinë, Greqinë dhe Maqedonisë, por rruga që do të ndjekë pjesa e dytë e gazsjellësit nuk është vendosur ende zyrtarisht. Sapo të dalin në bregun turk, tubacionet mund të lidhen me Greqinë dhe pastaj me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) dhe mund të kalojnë nga Turqia në Greqi dhe më pas në Itali.

“Opsioni grek do të kishte përparësi, pasi do të hapte rrugën për të furnizuar vendet perëndimore nëpërmjet TAP- shprehet Katja Yafimava, një eskperte e lartë në Institutin e Oxfordit për Studime të Energjisë- Sigurisht, lidhja me Bullgarinë do të ishte më e lehtë dhe nuk do të kërkonte ndërtimin e ndonjë tubacioni në territorin turk. Megjithatë, përfshirja e Greqisë do të hapte rrugën për furnizimin me gaz në Itali.”

Kërkesa e tregut evropian për gaz, përfshirë edhe Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, në vitin 2020 dhe 2030 do të arrijë në 3 miliard metra kub. Dan Breban, një eskpert në Universitetin e Beogradit për Politikën dhe Sigurinë, u shpreh se qëllimi i këtij gazsjellësi është të arrijë në tregjet e mëdha të Gjermanisë dhe Italisë. BE-ja nga ana tjetër nuk ka gjasa që të bllokojë gazsjellësin, ndërkohë që 50% e kapacitetit të TAP-it është “vënë në tavolinë” për palët e treta.

Në këto kushte, rajoni duket të jetë duke u përgatitur për të dyja opsionet. Bullgaria ka investuar në qendër ndërlidhëse me Greqinë. Serbia ka rënë dakort për një tubacion me Bullgarisë për të fituar qasje në Varna dhe prej aty në Greqi. Maqedonisë ka nënshkruar së fundmi marrëveshje mbi gazin me Serbinë dhe Bullgarisë. Me sa duket e vetmja që është ende duke fjetur është qeveria shqiptare.

Theksojmë nga punimet për projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) janë në vazhdim e sipër me ndërtimin e dy stacioneve për kompresorë.

A do të bashkohet TAP me gazsjellësin ruso-turk?

Projekti TAP synon të lidhë tubacionin e gazit natyror Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Greqi-Turqi dhe të kalojë përmes veriut të Greqisë në Shqipëri, dhe përmes Detit Adriatik të kalojë në territorin e Italisë jugore, ku do të lidhet me rrjetin italian për gaz natyror. Instalimi i tubacionit tashmë ka filluar në tre lokalitete në Shqipëri, përfundimi i të cilave pritet të bëhet deri në vitin 2018-të. I tërë projekti është i gjatë 878 kilometra me një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metra kub në vit, me të cilin do të transportohet gazi i Azerbajxhanit në disa tregje të Evropës.

Por tanimë TAP mund të bashkohet me “TurkStream” për të marrë kështu përmasa gjigante.

“Linja e dytë e projektit të tubacionit natyror të TurkStream ka tre rrugë opsionale në Evropë, por më e suksesshmja është përmes TAP-it” deklaroi për mediat turke John Roberts, një anëtar i lartë i Qendrës Globale Këshillit Atlantik të Energjisë.

Lidhja  e TAP me TurkStream

Tubacioni TAP prej rreth 878 kilometrash do të lidhet me tubacionin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të dalë në Italinë jugore.

“Tubacioni do të fillojë në Kipoi në kufirin e Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me TANAP, vetëm një kilometër larg kufirit ku do të përfundojnë pjesa e dytë i TurkStream" shpjegoi ai- Pra, nëse mund të siguroni terrenin për kalimin e tubacioneve, kjo do ta bëjë Gazpromin të lumtur, do ta bëjë Turqinë të lumtur dhe do të siguronte gaz për Evropën”.

Burimet: "Europe Pipelines", "Anadoly Agency", "New Europe", "Global Geopolitics"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë