Treg

Gazi, ‘e keqja e domosdoshme’ edhe çmimet e së cilit do vijojnë të rriten në Shqipëri

Qytetarët shqiptarë po paguajnë çdo ditë e më shumë për karburantet që kanë qenë në vazhdë rritëse që pas pushtimit rus të Ukrainës. Ndërsa lufta dhe sanksionet përshkallëzohen më tej, rriten edhe shanset për të ndikuar në furnizimet me gaz, gjë që po shkakton rritjet e para të çmimeve në shtete të ndryshme të botës.

Operatorët nga tregu shqiptar, ashtu siç pohuan për rritjen e naftës e cila tashmë ka prekur nivel rekord duke u tregtuar me 230lekë për litër, thonë se edhe gazi do të përfshihet më tej nga tendenca e rritjes së çmimeve në vend. Aktualisht gazi në Shqipëri tregtohet 110 lekë për litër.

Menaxherja e shitjeve nga “Tirana Dua Gaz” tha për Gazetasi.al se çmimi i tij është rritur brenda tre ditësh dhe do të rritet sërish pas 10 ditëve.

“Nga 180 lekë që kushtonte një bombol gazi, tani kushton 200 lekë. I gjithë tregu është përfshirë nga rritja e çmimeve dhe ashtu siç po ndodh edhe me karburantet, gazi do të shtrenjtohet sërish pas disa ditëve.

Nuk e dimë ende se sa do të shkojë litri sepse kjo varet edhe nga zhvillimet e mëtejshme por çdo ndryshim që afekton bursat dhe tregjet ndërkombëtare, na prek në mënyrë të tërthortë ose të drejtëpërdrejtë edhe ne. Nëse ecuria vijon në këto ritme, gazi do të ndjekë të njëjtën tendencë rritëse në pak ditë ashtu si edhe nafta.”

Mandej ajo shton se vitet e fundit gazi është kthyer në një të keqe të domosdoshme për shqiptarët pasi nuk e përballojnë dot ngrohjen me energji elektrike dhe në qytete, ngrohja me dru është një praktikë që po zbehet dita-ditës.

Pavarësisht luftës së vazhdueshme në Ukrainë, furnizimet me gaz natyror nga Rusia në Europë përmes tubacioneve të ndryshme kanë mbetur kryesisht të pandryshuara deri më tani.

Çmimi i gazit natyror në tregun e referencës holandeze është 188 Euro për megavat-orë ndërsa orët e fundit kapaciteti i furnizimit me gaz të Sllovakisë nga Ukraina përmes pikës kufitare Velke Kapusany ka arritur nivelin më të lartë deri tani për vitin 2022, në 881.917 megavat orë (MËh).

Përmes një deklarate me shkrim, Gazprom-i tha në datën 5 mars se sasia e gazit në objektet e depozitimit në Europë është ulur me shpejtësi.

“Sipas të dhënave të Infrastrukturës Europiane të Gazit (GIE), ka mbetur 21.5% e gazit në objektet nëntokësore të depozitimit në Europë. Gazi i mbushur në depot nëntokësore në Europë gjatë periudhës së verës është konsumuar plotësisht”, thuhet në deklaratën e Gazprom-it.

“Kjo është një sfidë tepër serioze duke pasur parasysh kufijtë ditorë të objekteve të depozitimit të kufizuara nga aftësitë e tyre teknologjike. Për më tepër, situata në tregun europian është e lidhur ngushtë me situatën në tregjet aziatike në rritje dhe pushtimi rus i Ukrainës do të shkaktojë rritje ndërkombëtare të çmimit të gazit”, vlerësohet në këtë deklaratë, e cila thekson se situata në fjalë ka shkaktuar vështirësi.

Gazi natyror i Rusisë

Ndërsa sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore Europiane, prodhimi i gazit ne Eurozonë do të ulet me 0.2 % deri në fund të vitit 2022 gjë që mund të detyroje shumë shtete të Eurozones të racionojnë 10% të gazit për kompanitë e tyre, pasojë e së cilës do të jetë reduktimi i prodhimit.

Zhvillimet në terrenin e Ukrainës kanë prekur që tani shumë fronte të ekonomisë shqiptare.

Ata po shkaktojnë një efekt domino të rritjes së çmimeve duke nxitur akoma më shumë inflacionin që në janar shënoi nivelin 3.7% duke kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë