Ngjarje

Gazetarja bullgare e përdhunuar dhe e vrarë brutalisht

Fytyra e 30 –vjeçares Victoria Marinova, ishte goditur aq dhunshëm saqë gazetarja e njohur televizive ishte e paidentifikueshme. Trupi i saj gjysmë i zhveshur u gjet në një zonë të largët përgjatë lumit Danub në Ruse, Bullgari, të shtunën e 6 tetorit, por u deshën orë që të mund të identifikohej. Raportet fillestare në medien lokale treguan se ishte përdhunuar, sipas ministrit të Punëve të Brendshme Mladen Marinov. Çelësat e makinës së saj, telefoni celular, syzet dhe pjesa më e madhe e rrobave të saj ishin lëvizur në një zonë të thellë pyjore. Marinova është e katërta gazetare që vritet në Europë në 14 muajt e fundit.

Gazetarja suedeze  Kim Wall, e vrarë në gusht të 2017-ës

Kim Wall, një gazetare  suedeze  u gjet pa kokë dhe i vrarë në gusht të 2017 –ës gjatë një interviste në nëndetësen e prodhuar vetë të Peter Madsen-it, në Kopenhagë. Madsen u dënua me vrasje dhe po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Në tetor të 2017-ës, gazetarja nga Malta, Daphne Caruana Galizia, u vra nga një shpërthim bombe në makinë, pranë shtëpisë. Disa burra po gjykohen për vënien e bombës, por askush nuk është arrestuar për ideimin e vrasjes.

Gazetarja malteze,  Daphne Caruana Galizia, e vrarë në një atentat me bombë

Në shkurt të 2018 –ës, gazetari sllovak Jan Kuciak u qëllua për vdekje me të fejuarën,  në një shtëpi, që ndanin bashkë. Tre njerëz janë aktualisht të akuzuar për vrasjen. Marinova sapo kishte përuruar “Detector”, një program të ri televiziv, më 30 shtator të këtij viti. Dy të ftuarit e parë në emision ishin gazetarë që ishin arrestuar për punën e tyre. Gazetari bullgar Dimitar Stoyanov dhe gazetari rumun Attilia ishin kërcënuar dhe arrestuar për punën investiguese rreth bizneseve të korruptuara bullgare.

Homazhe për gazetarin  sllovak Jan Kuciak dhe të fejuarën  e tij, të vrarë në shkurt të 2018-ës. 

Sipas Këshillit të Europës, dy gazetarët, që Marinova kishte në programin e saj, kishin zbuluar “korrupsion në shkallë të gjerë në projektet e financuara nga BE, në Bullgari, që vlenin qindra miliona leva bullgare.” Puna e tyre zbuloi shkatërrimin e dokumenteve nga “një rrjet firmash konsulente,  të lidhura me kompani të mëdha ndërtimi.” Prokurori bullgar Georgy Georgiev thotë se hetuesit po marrin në konsideratë tani nëse përpjekjet e Marinovas, për të ekspozuar korrupsionin në Bullgari, ishin motiv për vrasjen e saj. Ashtu si Caruana Galizia në Maltë, zbulimet e investigimeve  preknin edhe  qeverinë.

Federata Europiane e Gazetarëve ka kërkuar për mbrojtje më të madhe për gazetarët investigativë nëpër Europë. “Kjo është e katërta vrasje brutale e një gazetari në një shtet anëtar të Bashkimit Europian prej vitit 2017.” Ricardo Gutiérrez, kreu i Federatës Europiane të Gazetarëve ka thënë në një deklaratë: “Vrasësit dhe sponsorët e tyre synojnë padyshim të frikësojnë të gjithë profesionin.”

Federata Europiane e  Gazetarëve i ka bërë peticion Këshillit të Europës të implementojë një plan për mbrojtjen e gazetarëve. Përfaqësuesi i OSCE-së në Lirinë e Medias Harlem Désir ka kërkuar investigim të plotë në vrasjen e gazetares. “Jam tronditur nga vdekja e tmerrshme e gazetares investigative Viktoria Marinova në Bullgari,” ka thënë Désir në një deklaratë. “Do i ndjek nga afër investigimet e hapura nga autoritetet. i nxis të identifikojnë dhe sjellin para drejtësisë përgjegjësit dhe të përcaktojnë qartë nëse sulmi kishte lidhje me punën e saj.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë