Futboll

Gavi ylli i parë që humb Europianin e Gjermanisë, Barcelona tërbohet me Spanjën

Gazeta Si – Dëmtim i rëndë për yllin e Barcelonës në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Klubi katalanas tërbohet me Federatën Spanjolle, që e aktivizoi lojtarin në një ndeshje pa rëndësi.

Ndeshja mes Spanjës dhe Gjeorgjisë mori vëmendje për dëmtimin e rëndë të mesfushorit Gavi, ‘xhevahirit’ të Barcelonës që la fushën mes lotësh. Futbollisti 19-vjeçar pësoi një faull të ashpër nga prapa dhe ra në një mënyrë jonatyrale, me gjithë peshën që i ra në njërin gju.

“Është një moment shumë i vështirë, mbi të gjitha për lojtarin tonë, por edhe për Barcelonën, federatën, kombëtaren dhe gjithë shokët e skuadrës dhe mua. Atmosfera është sikur të kishim humbur, por kjo është pjesë e futbollit. Është ana më e keqe e këtij sporti”, – tha trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente.

Sipas mediave spanjolle, diagnoza nuk lë vend për shpresë. Këputje e ligamentit të gjurit të djathtë, që do të thotë një stop nga 6 deri në 8 muaj. Gavi ka humbur pjesën e mbetur të sezonit, por edhe Europianin e Gjermanisë.

Shtypi katalanas ndërkohë shkruan se klubi i Barcelonës është tërbuar me Federatën Spanjolle të Futbollit, sepse detyroi Gavin të luante në një ndeshje pa rëndësi. Spanja ishte kualifikuar për në Euro 2024.

FIFA, si rimbursim për këtë ndalesë të gjatë, duhet të paguajë 4-5 milionë euro në arkat e Barcelonës, por ky është vetëm një ngushëllim i vogël. Katalanasit duhet të bëjnë për një kohë të gjatë pa njërin nga lojtarët kyç në formacionin e Ksavit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë