Qeveria e Viktorias dhe “Tennis Australia” janë shumë afër një akordi, që do të lejonte numrin 1 të botës të jetë prezent në fushë në Melburn, edhe pse ai nuk ka deklaruar, nëse është apo jo i vaksinuar.
Për Federerin e dimë dhe jemi të qetë. Nëse ai do të kthehet, nuk mund ta bëjë para verës dhe ndoshta do të mungojë edhe në Uimbëlldon. Pritja tani është për dy gjigantë të tjerë të tenisit. A do të luajnë Novak Gjokoviç dhe Rafael Nadal në Slam-in e parë të sezonit? Spanjolli, mes Covid-it dhe dëmtimit, po punon për t’u rikuperuar sa më parë dhe këtë po e tregon edhe në rrjetet sociale.

Për numrin 1 në botë, Novak Gjokoviç, ka lajmë të ndryshme. Pak ditë më parë, e përditshmja serbe “Blic”, shkruante se “Nole” nuk ishte në listën e Atp Cup, turne që zhvillohet më 1 janar në Sidnei. Por më pas organizatorët e përgënjeshtruan këtë lajm, duke thënë se Gjokoviç nuk është tërhequr nga asnjë turne.
E vetmja gjë e sigurt është se Gjokoviç nuk është nisur ende për në Australi. Ai po stërvitet në qendrën e tij të tenisit në Beograd, në pritje, me sa duket, të lajmeve të mira nga Sidnei. Burime pranë “Tennis Australia” kanë zbuluar për shtypin serb se po shihet një mundësi, që numri 1 në botë të luajë edhe pa vaksinë, me një certifikatë speciale mjekësore. Pra, mund të ketë një përjashtim.
Është shumë e rëndësishme për arkat e turneut australian që të ketë numrin 1 të botës, gati për të kaluar Nadalin dhe Federerin në kuotën e 21 Slam-eve. Sipas “Blic”, ka bisedime mes “Tennis Australia” dhe qeverisë së Viktorias për të lejuar tenistët që “nuk kanë zbuluar, nëse janë të vaksinuar ose jo”, që të luajnë në Melburn. Bëhet fjalë për rreth 10 tenistë, ndërkohë që koha po pakësohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




