Treg

Gati projekligji për tregun financiar virtual

Sabina Veizaj - Ministria e Financave ka hedhur për diskutim projektligjin që ka si objekt kontrollin dhe mbikqyrjen e tregut financiar virtual.

Ministria sqaron se ky lloj tregu ka paraqitur leverdisshmëri në vendet ku kontrollohet dhe mbikqyret me ligj, prandaj, sqaron ajo në relacion “Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme siç janë, krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet.”
Projekt-ligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, synon të rregullojë të gjithë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia “Distributed Ledger” (DLT).

Objektivi që synon projekt-ligji është të rregullojë kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatoreve dhe bursave dhe mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale dhe autorizimin nga autoritetet kompetente, kushtet dhe rregullat për tregtimin e tokenve digjitale dhe monedhave virtuale, ofruesit e shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin e praktikave abuzive në treg, ku parashikohen gjoba të rënda për cilindo, i cili shkel dispozitat e ligjit.
Institucionet kompetente që do të merren me mirëfunksionimin e këtij tregu do të jenë AMF, AKSHI dhe Banka e Shqipërsië.

Përmes projektligjit parashikohet:

Ulja e mundshme e kostovo të sistemit të pagesave;
Nxitja e financimeve për ekonominë e vendit nëpërmjet burimeve alternative të financimit
Tërheqja e investitorëve të huaj;

Operimit i një Burse të këtij tregu, në mënyrë të paautorizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë ndalohet.

Po ashtu edhe ofrimi i aktiveve virtuale me ofertë fillestare në mënyrë të pa autorizuar;
Ndalohet perms këtij projektligji edhe kryerja e aktivitetit të kujdestarit të palëve të treta pa autorizim;

Dhënien ekskluzive të kompetencave te Autoritetit për bllokimin e llogarive për këdo që dyshohet se kryen mashtrim apo abuzim me tregun;

Projektligji parashikon vendosjen e sanksioneve të rënda administrative dhe penale në rastet e abuzimit (nga 12 milion lekë deri në 18 milion lekë si gjobë administrative dhe referim tek Kodi Penal, në rast të veprave penale).

Projekt-Ligji mirërregullon funksionet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si institucioni kompetent, si dhe funksionet e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila merret me aspektin teknologjik për marrjen e licencës.

Transferimi i shpejtë i remitancave

Një tjetër fushë në të cilën teknologjia e regjistrave të shpërndarë parashikohet të ndryshojë rrënjësisht strukturën e funskionimit dhe modelin e biznesit, është ajo e remitancave.

Me një fluks hyrës prej 1.2 miliardë eurosh në vitin 2018, remitancat mbeten një nga kontribuesit kryesorë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke tejkaluar fluksin hyrës të investimeve të huaja direkte.

Nga ana tjetër, një studim i Bankës së Shqipërisë vëren se kostot e lidhura me dërgimin e remitancave variojnë nga 5-24 % të shumës totale të dërguar, me një mesatare prej 8,64%, duke bërë kështu që pjesa më e madhe e remitancave të transferohet në rrugë joformale.
Një botues në fushën e teknologjisë, Medium, ka kryer një studim krahasimor mes institucioneve të dërgesave të parave tradicionale dhe atyre të bazuara në DLT, ku ka konstatuar se automatizimi i proceseve të ndërlikuara të dërgimit të remitancave nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, rezulton në dërgesa parash 388 herë më tëshpejta dhe deri në 128 herë më të lira .

E ashtuquajtura 'tokenizim' i aseteve shihet si një trend afatgjatë që ka potencialin për të krijuar rezultate të dobishme si për pjesëmarrësit e tregut, ashtu edhe për investitorët. Tokenizimi është një metodë që konverton të drejtat ndaj një aktivi në një token dixhital.

Virtualisht, çdo gjë mund të tokenizohet, duke filluar nga mallrat fizikë tek instrumentet financiare tradicionalë. Tokenizimi ka potencialin për të rritur likuiditetin e disa aktiveve financiare, p.sh., aksioneve të palistuara ose huatë sindikale, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë transferimin e pronësisë. Ai, gjithashtu, mund të zvogëlojë nevojën për ndërmjetës.

Kjo lloj tekonologjie gjithashtu mundëson përdorimin e kontratave të zgjuara (Smart). Përdorimi i këtyre kontratave mundëson uljen e kostove të transaksioneve ekonomike duke zëvendësuar ndërmjetësuesit tradicionalë të transaksioneve si noterët ose sistemet e pagesave me një program të automatizuar. Në këtë mënyrë përdorimi i kontratave të zgjuara mund të japë rezultate pozitive si për pjesëmarrësit e tregut, ashtu dhe për konsumatorët fundorë.

Kostot

Projekti për ligjërimin, kontrollin dhe mbikqyrjen e tregut financiar virtual kërkon kapacitete mbikëqyrëse të autoriteteve përgjegjëse. Pranë çdo autoriteti përgjegjës do duhet të krijohen njësi të posaçme të specializuara në lidhje me aktivitetin licencues dhe mbikëqyrës të ofruesve të shërbimeve që burojnë nga tekonologjitë e reja. Për këtë arsye, do të kërkohen investime për krijimin e këtyre njësive, si për tërheqjen e stafit të kualifikuar dhe me eksperiencë në tregjet ndërkombëtare (mundësisht të huaj), ashtu edhe për trajnimin e stafit aktual.

Mbrojtja e investitorëve

Ashtu si në rastin e instrumentave financiare trandicionalë, edhe për tokenat digjitalë dhe monedhat virtuale risku që lidhet me investitorët ka të bëjë me shkallën e ndërgjegjësimit të tyre mbi kuptimin e këtyre instrumentave dhe rreziqeve nga investimi në to.
Në lidhje me këtë risk, projektligji parashikon kërkesat në lidhje me emetimin e aktiveve virtuale duke përcaktuar detyrimet e shoqërisë emetuese dhe detyrimin për publikimin e prospektit, apo akt-ofertës pas miratimit nga AMF dhe AKSHI.

Kërkesat që duhet të përmbajë një prospekt për tokenat digjitale të titujve janë të njëjta me kërkesat e parashikuara në projektligjin “Për tregjet e kapitalit”.

Shumëllojshmëria e aktiveve virtuale të emetuara dhe të drejtat e ndryshme që ato ofrojnë mund të mos kuptohen lehtësisht nga investitorët, prandaj Autoritetet përgjegjëse janë të detyruara për edukim financiar të investitorëve, si dhe ti afrojnë ata me llojin e investimit që do të kryejnë. Kështu, në rastin e sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive është vënë kufizimi që investitorë në këto skema të jenë vetëm investitorët profesionistë.

Në Europë, shumë shtete kanë ndërmarrë ose janë duke marrë në konsideratë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i BE.

Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca ka miratuar ligjin në prill 2019, ndërsa Parlamenti i Liechtenstein në muajin qershor në seancën e parë dëgjuese ka votuar pro Ligjit “Për Blockchain”.

Shumica e vendeve të tjera janë duke aplikuar të ashtuquajturat “regulatory sandboxes”, që përfaqëson një ambient testimi, ku autoriteti kompetent përkatës teston tregun duke lëshuar licenca me afat të shkurtër, ku vlerësohen të gjitha rreziqet dhe problematikat që has tregu përpara se të hartohet një ligj kombëtar, ndërkohë që nuk frenon bizneset inovative të shfrytëzojnë idetë e tyre. Aktualisht, megjithëse në Europë ky fenomen “regulatory sandboxes” është kthyer në një trend, në Shqipëri nuk suportohet nga ligjet bazë të autoriteteve kompetente, pra këto autoritete nuk kanë të drejtë të lëshojnë rregullore me qëllimin e testimit të tregut si dhe identifikimit të problematikave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë