Nga Gazeta ‘Si’- Fletët e votimit për të gjithë votuesit shqiptarë në diasporë që për herë të parë do të votojnë përmes postës janë gati.
Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi thotë se emigrantëve, zarfi me fletën e votimit do t’u shkojë në banesë.
Celibashi u shpreh se postieri do shkojë deri në 3 herë në adresën e banimit të emigrantët dhe nëse nuk e gjen aty, emigranti mund ta tërheqë fletën në zyrën postare.
Ai shpjegoi se shpërndarja tek votuesit në 85 shtete të botës pritet të nisë nga java në vijim, por thekson se sapo të kenë gati sasinë e parë do të nisin direkt me shpërndarjen.
“Koha që do kenë në dispozicion, nëse fillojmë shpërndarjen të hënën që vjen, brenda një dite, për Italinë, Greqinë, do e kenë zarfin në shtëpinë e tyre. Data 2-3 maj, të jetë data e fundit. Postieri do të shkojë herën e parë, nëse nuk e gjen, do i lërë shënim dhe një orar. Edhe nëse herën e tretë nuk realizohet, do i lihet shënim votuesit, që dokumentacioni zgjedhor ndodhet në zyrë postare, ku mund të paraqitet për ta tërhequr. Nëse deri në datën 3 maj, jo përtej një date të tillë, duhet llogaritur dhe koha që duhet të kthehet zarfi në Shqipëri. Do duhet 4-5 ditë për ta kthyer mbrapsht”, tha ai.
Celibashi gjithashtu shtoi se çdo zarf që ka vulën e hyrjes, pas datës 11 maj dhe orës 19:00, nuk i nënshtrohet procesit të numërimit.
Çfarë ndodh pasi e plotësuat fletën e votimit dhe e futët në zarfet e KQZ-së?
Celibashi i shpjegon votuesve të diasporës se mjafton të telefonojnë postierin dhe ai do shkojë në banesë që t’u marrë zarfin.
“Në momentin që përfundon procesi i votimit, e fut fletën e votimit tek zarfi A, zarfin A tek zarfi B dhe më pas zarfin B tek zarfi i postës. Në momentin që përfundon votën dhe e ka organizuar dokumentacionin, telefonon postën, në zarf do jenë numrat. S’ka nevojë të dalë votuesi nga shtëpia, merr në telefon postierin dhe i thotë ‘jam gati eja merre fletën e votimit’”, thekson Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.