Ekonomi

Gati buxheti i rimëkëmbjes. Investimet publike post Covid me rritje, 7,2 %. Borxhi 80,9%

Qeveria në një mbledhje të posaçme ka miratuar buxhetin e rimëkëmbjes për vitin 2021 ku pas parashikimit për tkurrje këtë vit 6,1 %, projekton një rritje 5,5 % vitin e ardhshëm.

Në vitin post Covidian dhe atë elektoral, qeveria ka ndërtuar një buxhet optimist edhe pse të dhënat e 9 mujorit të parë të këtij viti tregojnë një mosrealizim të ardhurash krahasimisht me vitin e kaluar.

Megjithatë, financat shprehen se konsolidimi fiskal do të ndodh gradualisht në 5 vitet e ardhshme.

Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021 në nivelin 12.2% krahasuar me të pritshmin e vitit 2020 prej 13.9%.  Relacioni i buxhetit citon se rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.2% e PBB ndërsa planifikimi I 2020-ës ishte 4,7%.

Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliard lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të  ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.

Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2 %  ose +37.1 miliard lekë.   

Buxheti 2021 parashikon një total të shpenzimeve publike 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar  në masën 91.87 miliardë lekë ose 5.5% e PBB.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% të PBB, për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 45.89 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së.

Relacioni shpjegon se në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit. Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Defiçiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB nga rreth 6.8% i pritshëm për vitin 2020.

Në parantezë duke argumentuar me dy goditjet që pësoi vendi, në fillim nga tërmeti i Nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia përgjatë vitit 2020, qeveria parashikon që për 2021 borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse duke filluar që nga 2021, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% i pritshëm për këtë vit.

Ndërkohë që në afatin e mesëm, sqaron relacioni, pasi të zgjidhen nevojat kryesore të lidhura me efektet negative të dy goditjeve, financat publike do t’i rikthehen trajektores konsoliduese. Balanca primare mund të rikthehet së paku në balancë (zero) që në vitin 2022, por me një siguri më të lartë ajo do të jetë pozitive nga viti 2023 e në viijim. Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të bjerë në rreth 68.5% në vitin 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë