Biznes

Gati 60% e fasonëve të gatshëm të shesin biznesin. Sektori rimëkëmbet me 52 mln euro

59,7 % e ndërmarrjeve fason të anketuara nga Pro Export Albania janë të gatshëm të shesin biznesin e tyre në kushtet e krizës së krijuara nga pandemia COVID-19.

Sektorit i nevijiten në mënyrë urgjente 52 mln euro për të dalë nga situata e kolapsit.

Sondazhi është kryer me një kampion prej 68 sipërmarrje të mëdha, të mesme dhe të vogla të sektorit, që përfaqësojnë mbi 10 % përqind të totalit të 660 fabrikave të rregjistruara me status aktiv.

Rezultatet e sondazhit tregojnë gjendjen tejet të vështirë të sektorit fason dhe nevojën për mbështetje.

Nevojat urgjente për kapital qarkullues për të vijuar prodhimin në këtë sektor llogariten në 15 mln euro, kurse nevojat urgjente për rinovim /diversifikim makinerish dhe teknologji për prodhim llogariten në 32 mln euro në bazë të përgjigjeve të dhëna nga ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve.

Po ashtu këto ndërmarrje kanë nevoja urgjente për lëndë të para për të vijuar prodhimin e kontraktuar dhe vlera e nevojitur arrin në 5 mln euro.

Ndër pyetjet e sondazhit: E ndjeni nevojën për një paketë të tretë mbështetëse nga ana e Qeverisë?, 98,5% të ndërmarrjeve janë përgjirur pozitivisht, që e ndjejnë nevojën e një pakete të tretë në kushtet ku ndodhen.

Po, ashtu ndërmarrjet (86,4% e tyre)  kanë dëshirë të orientohen drejt prodhimit të pjesshëm apo total të MADE IN ALBANIA, por në situatën e krizës nuk kanë mundësi, sipas tyre.

Sipas PRO EXPORT APLBANIA, shoqata që përfaqëson aktualisht industrinë fason, shumica e fabrikave prodhuese të industrisë së veshjeve dhe këpuceve po punon sot për mbijetesë.

Në këto muaj më të vështirë, thotë shoqata, tre në katër sipermarrës të sektorit mendojnë të shesin biznesin e tyre siç evidentohet edhe nga anketimi.

Kufizimet e prodhimit gjatë pandemisë sollën largimin e detyruar nga puna te mijëra punonjësve të industrisë për periudhën mars-qershor 2020. Sektori është humbësi më I madh në punësim në Shqipëri, për shkak të COVID-19.

Problemet kryesore të ndërmarrjeve të sektorit, të evidentuara dhe nga pyetësori i organizuar nga PEA, janë:

1. Mungesë e theksuar likuiditeti për të paguar pagat e punonjësve dhe lëndën e parë;

2. Mungesë e theksuar likuiditeti për të kryer investime (blerje makinerish) për kërkesat e ndryshuara në treg për produkte një-përdorimshe dhe produkte të pajisjeve mjekësore për mbrojtjen individuale nga Koronavirusi;

3. Mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar për teknologjinë e kërkesave të reja në treg;

4. Akses i dobët në tregun bankar për kredi për investime, gjë e cila ka ndikuar në refuzimin e një pjesë të aplikimeve nga ndërmarrjet e sektorit për kreditë e ofruara me Garancitë Sovrane 1 dhe 2;

5. Njohje e pakët nga ndërmarrjet e ofertave të reja të tregut;

6. Mundësi tejet të kufizuara për pjesëmarrje në panaire virtuale të rajonit dhe me gjerë për sektorin;

7. Mungesë e theksuar bashkëveprimi me strukturat shtetërore të arsimit profesional dhe me donatorët për programe konkrete kualifikimi dhe trajnimi për punonjësit e sektorit ose për punonjësit e rinj.

Nga sondazhi u evidentua se sipërmarrësit do të donin një përfaqësim në rang Drejtorie apo Ministrie si zgjidhje sipas tyre për një përmirësim të klimës dhe dialogut Shoqatë – Qeveri.

Në vitin 2019, ky sektor siguroi 40 përqind të eksporteve të Shqipërisë (për vitin 2019 në total eksportet ishin 2.1 miliardë euro, me mbi 800 milionë euro të siguruara nga kompanitë e veshjeve dhe këpucëve). Sektori përfaqeson punedhenesin e parë më të madh privat në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e vendit si total gjatë periudhës prill-qershor 2020 ranë me një të tretën (32 perqind), ndërsa eksportet e industrisë së veshjeve dhe këpucëve u përgjysmuan, duke rënë me 48 përqind. Kjo ka shkaktuar një humbje mbi 180 milionë euro për sektorin. Siç shprehet edhe shoqata, rreziku i falimentimeve në masë është ende evident.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë