Shoqata e Gastronomeve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë, kanë paralajmëruar ngritjen e çmimit të shërbimeve në gastronomi për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të furnizimit. Këto shoqata kërkojnë që TVSh-ja të jetë 8 për qind, në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen.
Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, ka treguar se ka shtrenjtim të produkteve të ndryshme dhe për këtë edhe hoteleria është e detyruar t’i rrisë çmimet për shërbimet e ofruara nga ky sektor.

“E para është që Qeveria e Kosovës duhet ta ulë TVSH-në, ta kthejë në gjendje 8 për qind, e dyta le ta heqë akcizën e naftës, sepse gjithçka është e lidhur me këtë. Qeveria duhet të gjejë modele se si veprojnë shtetet e tjera që të mos vije deri te rritja e çmimeve drastike në hoteleri e gastronomi. Shërbimet nuk mund të punojnë më me ato që kanë qenë më herët para një muaji, sepse edhe gjatë COVID-it kategoritë tona kanë qenë më të atakuarat dhe më të dëmtuarat”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të marr modele nga vendet e tjera për daljen nga kriza dhe ka thekuar se duhet të punohet shumë nga institucionet që përmes subvencioneve t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset.
“Kemi rritje drastike të çmimeve dhe këto normal që ndikojnë me produktet që lidhen me veprimtaritë turistike dhe hoteliere. Unë mendojë që Qeveria, ministritë përkatëse duhet me qenë më aktivë, duhet me punu më shumë të mos na zënë të papërgatitur. Është mirë që modelet dhe shembujt se si po dalin prej kësaj krize shtetet e tjera me u mundu me i sjell tek ne sepse dihet që Kosova çfarë shteti është, dhe dihet që ky sektor ka qenë më i dëmtuari”.
Ndërsa Sekretari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Arian Vranica, ka thënë se për sektorin e gastronomisë do të ishte më e lehtë që TVSh prej 8 për qind që ishte aktive vitin e kaluar të vazhdonte edhe këtë vit.
Vranica ka shtuar se që nga periudha e vitit 2019 e deri më tani në bazë të të dhënave të ATK-së rreth 2 mijë biznese janë mbyllur, duke shtuar se rritja e çmimeve është e paevitueshme.
“Nëse i shohim statistikat në bazë të ATK-së sa biznese i kemi pasur në vitin 2019, ka pasur 8 mijë e 104 biznese të regjistruara përfshirë edhe ne zero deklarime në ATK. Ndërsa në vitin 2021 i kemi 6 mijë e 195 biznese në gastronomi, pra i kemi diku rreth 2 mijë biznese më pak se sa që kishte në vitin 2019 e që është shumë. Rritja e çmimeve është paralajmëruar edhe nga ne jo për shkak të ndonjë marrëveshje ose diçka të tillë e cila edhe nuk është e lejueshme në bazë të ligjeve për mbrojtjen e konkurrencës e cila nuk është e lejueshme me u rrit çmimet në bazë të marrëveshjeve. Mirëpo rritja e çmimeve ka filluar gradualisht edhe me një nevojë imediate për shkak të krizave të cilat janë përcjell me çmimet e furnizimit dhe të produkteve esenciale të cilat gastronomia ka për nevojë t’i blejë dhe në rastin e shitjes normalisht që determinohet pastaj ajo që blihet”.
Për qytetarët rritja e mëtejshme e çmimeve në gastronomi, do të jetë e papërballueshme. Edhe sot çmimet janë të larta, në krahasim me nivelin e pagave. Në vitin 2019, ka pasur 8 mijë e 104 biznese të regjistruara, ndërsa në vitin 2021 janë mbyllur rreth 2 mijë biznese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




