Politike

Garda ‘blindon’ Kuvendin me gardh metalik. Socialistët arrijnë 1 orë para. Bardhi: Më shumë gardistë sesa deputetë!

Nga Gazeta 'Si'- Tensione priten në seancën e sotme në Kuvend, me deputetët e opozitës që kanë paralajmëruar se pavarësisht se janë përjashtuar për periudha të ndryshmë kohore nga Sekretariati i Etikës, do të jenë në Kuvend.

Për herë të parë Garda ka vendosur në hyrje të Kuvendit gardh metalik, duke shtuar kështu masat për sigurinë, referuar këtu edhe asaj që ndodhi në seancën e fundit që u zhvillua, ku deputetët e PD kishin edhe përplasje me punonjësit e gardës.

Për rrethimin e Kuvendit me gardh metalik ka pasur edhe një reagim nga kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i cili shkruan se kjo është e turpshme.

Bardhi u shpreh se në hyrje të Parlamentit ka më shumë forca sigurie se sa deputetë.

“Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!”, shkruan ai.

Bardhi thekson se Kuvendi s’është burg dhe as qeli burgu, teksa shton se “dhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë”.

Ndërkohë, deputetët e PS kanë filluar të shkojnë në Kuvend rreth 1 orë para nisjes së seancës plenare.

Deputetët e përjashtuar të PD kanë paralajmëruar se do tentojnë hyrjen në institucion për seancë plenare. Komisioni i Etikës përjashtoi 23 deputetë pas djegies së karrigeve dhe kaosit, me 10-60 ditë ndëshkim administrativ, kurse 4 të tjerë i gjobiti në total mbi 7 mln lekë të vjetra për dëmet e shkaktuara brenda dhe jashtë sallës, seancën e 30 Shtatorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë