Politike

Garancia e PS për Komisionin e Posaçëm, Gogu: Asnjë ligj i drejtësisë së re nuk preket

Nga Gazeta Si - Komisioni i Posaçëm Parlamentar, që do të shohë gjithë kuadrin ligjor të vendit për ta bërë gati për anëtarësim në BE nuk do të ketë në fokus ndryshime në ligjet për drejtësinë. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu e konfirmoi këtë qendrim në një intervistë për Gazeta Si.

“Ligjet e drejtësisë së re nuk do të preken. Komisioni nuk do të cënojë në asnjë mënyrë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë” u shpreh zoti Gogu, i cili ka dhënë disa përgjigje të rëndësishme për procesin dhe punën që do të ketë Komisioni i Posaçëm. Gjatë intervistës, Toni Gogu ka edhe një mesazh për opozitën. “Ky është momenti që opozita të shohë larg dhe të ngrihet mbi sherrnajat e politikës së ditës” tha nënkryetari i grupit socialist, duke e ftuar opozitën të bëhet pjesë e reformave shtetbërëse për Shqipërinë anëtare të BE-së.

Gazeta Si: Çfarë mandati do të ketë Komisioni i Posaçëm Parlamentar, për të cilin flet Rezoluta e miratuar të hënën në Parlament?

Toni Gogu: Komisioni i Posaçëm, në zbatim të nenit 24 të Rregullores së Kuvendit, cit. “krijohet për shqyrtimin dhe përgatitjen e nismave ligjvënëse, si dhe për çështje të një rëndësie të veçantë.” Çështjet e veçanta, në zbatim të Rezolutës janë Mirëqeverisja, Sundimi i Ligjit dhe Antikorrupsioni. Komisioni i Posaçëm do të vlerësojë dhe analizojë situatën në këto fusha. Në vijim, Komisioni do të hartojë një Plan Kombëtar Veprimi me kohështrirje afatgjatë. Në zbatim të mandatit të zakonshëm të një komisioni të posaçëm parlamentar, Komisioni, në vartësi të rezultateve të hulumtimit në legjislacion, mund të rekomandojë, për sa çmohet e nevojshme, edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale. Këto ndryshime, nëse do të duhet, do t’i adresohen secilit prej institucioneve përgjegjëse, që i mbulojnë ato sipas fushës së përgjegjësisë. Dëshiroj të nënvizoj se i gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni, do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe cit. “në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.”

Gazeta Si: A parashikohet të ketë ndryshime ligjore deri në fund të mandatit të Parlamentit?

Toni Gogu: Siç përmenda më sipër, për sa do të çmohet e nevojshme, mendoj se pjesë e Planit Kombetar të Veprimit mund të jenë edhe propozimet për ndryshimet ligjore që mund të rezultojnë të nevojshme. Pas reformimit të sistemit të drejtësisë, në Rezolutë shprehet qartë se cit “synohet, edhe reformimi i agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj.” 

Gazeta Si: Pse nuk u priten zgjedhjet e reja për të ndërmarrë një nismë të tillë, kur dihet që parlamenti nuk është funksional 2-3 muaj para zgjedhjeve?

Toni Gogu: Janë disa faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, që nxisin padurimin tonë për këtë reformë mirëqeverisje dhe lufte kundër korrupsionit. Së pari, jemi në një moment të udhëtimit tonë drejt shtetbërjes. Ne vlerësojmë se kemi krijuar përvojë të vyer me procesin që parapriu reformën në drejtësi. Pandëshkueshmëria tashmë ka marrë një goditje qëndrore, duke na dëshmuar se reforma që nisëm 8 vjet më parë, ishte e duhura. Në ato fillime ajo reformë nuk dukej si më e pëlqyera nga njohësit e sistemit. Nga ana tjetër, pakënaqësia e publikut ndaj sistemit të vjetër të drejtësisë, mund ta cilësonte edhe si propagandë populiste, Por në distancën e 8 vjetëve, me gjithë vështirësinë e zbatimit, duhet të them se rezultoi se ishte e duhura. Së dyti, nga Bashkimi Evropian kemi një datë për anëtarësimin e një apo disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, brenda vitit 2030. Pra, 2200 ditë nga sot, një nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohet në familjen evropiane. Ne besojmë që, me thellimin e reformave në mirëqeverisje, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, mund t’a përmbushim objektivin tonë strategjik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Së treti, thellimi i procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe kontrolli më i mirë ndaj tyre, fuqizon zbatimin e ligjit dhe rritjen e transparencës në llogaridhënie. Në portalin e-Albania sot ofrohen 1239 shërbime online ose rreth 95% e të gjitha shërbimeve publike. Përmes Sistemit të Qarkullimit të Dokumenteve me Nënshkrim Elektronik (SQDNE) numërohen 400.000 dokumente të shkëmbyera midis institucioneve për plotësimin e dosjes së aplikantëve për këtij Sistemi. Pra, s’mund të humbasim asnjë sekondë kohë, kur jemi në mes të udhëtimit, treni i reformave ka marrë shpejtësinë e duhur, kemi stacionin e Brukselit të përcaktuar qartë dhe datën e mbërritjes 2030, të paralajmëruar.

Gazeta Si: Sipas një dokumenti të botuar nga Gazeta Si pak kohë më parë, në vitin e parë të mandatit synohet që të identifikohen çfarë ndërhyrjesh i nevojiten legjislacionit për të bërë vendin gati për anëtarësim në BE. Pse është e nevojshme kjo, kur procesi është i kryer nga ekspertët e BE-së në procesin screening?

Toni Gogu: Në fakt, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në Raportet e BE dhe Raportin screening të Komisionit Evropian, do të shërbejnë si dokumentet bazë dhe udhëzuese për Komisionin e Posaçëm Parlamentar.  Mbështetur mbi to, do të analizohet sëbashku me të gjitha institucionet shtetërore në mënyrë objektive. Mbështetur mbi to, do të mobilizohet një reagim i përbashkët institucional dhe një veprim i koordinuar midis të gjithë institucioneve përgjegjëse në sfidën e mirëqeverisjes, në zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ky proces kërkon jo vetëm identifikimin e nevojave për ndryshime në legjislacion. Ky proces kërkon jo vetëm koordinimin institucional të gjithë qelizave brenda institucioneve qëndrore që do të duhet të përshtasin ndryshimet ligjore me ligjet e fushës që administrojnë. Ky proces kërkon jo vetëm përfshirjen e institucioneve të pavarura, kushtetuese dhe të krijuara me ligj të veçantë. Në këtë proces nevojitet sidomos kodifikimi i të gjitha ndryshimeve ligjore. Askush përveç Kuvendit nuk mund të luajë rolin si kodifikues i gjithë bllokut të amendamenteve. Pasi perfshirja kaq e madhe, e kaq shumë institucioneve në një amendim të madh dhe voluminoz të legjislacionit, e bën të domosdoshëm dhe si detyrim për procesin e integrimit rolin kodifikues të Kuvendit.

Gazeta Si: Do te prekë Komisioni ligjet për institucionet e drejtësisë, nëse nuk ka prej tyre ndonjë kërkesë për ndryshim?

Toni Gogu: Ligjet e drejtësisë së re nuk do të preken. Citoj rezolutën “në asnjë menyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë.” Përkundrazi, siç theksohet qartë në rezolutë, pakthyeshmëria e reformës në drejtësi, konsolidimi e saj i mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë janë objektiva të synuar nga ky cikël i ri reformash mirëqeverisjeje.

Gazeta Si: Opozita kryesore, mesa duket, nuk do të bëhet pjesë e këtij komisioni. Ka kuptim që ju të bëni të vetëm një punë, që mund të kërkojë edhe votime me shumicë të cilësuar votash, që ju s’i keni?

Toni Gogu: Do të doja që të kishin patur një qasje tjetër. Po të isha unë në opozitë do ta shikoja këtë rezolutë dhe komision të posaçëm si një mundësi të artë për të vendosur qeverinë përpara përgjegjësisë e për të shpalosur një vizion alternativ qeverisës. Mesa duket, nuk kanë çfarë të shpalosin! Gjithesesi, edhe pse bojkoti i tyre me trishton, ai nuk më habit. Ato kanë që në 2013 që bojkotojnë dhe me pas bëjnë autokritikë. Djegin mandatet e më pas ia vënë fajin njëri-tjetrit. Shpresoj që këtë herë ta bëjnë autokritikën në kohë e të mos digjen siç janë djegur. Që të mos mbeten peng i sherrit për vulen e humbur, uroj të na bashkohen në Komisionin e Posaçëm e të bëhen pjesë e këtij procesi jetik për vendin. Në BE anëtarësohet Shqipëria. Nuk anëtarësohen as partitë e as elitat politike. Ky është momenti që opozita të shohë larg dhe të ngrihet mbi sherrnajat e politikës së ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë