Gazeta Si – Ka një duel në distancë mes Shqipërisë dhe Kosovës sa u takon talenteve të futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit ka një politikë të qartë për të kontaktuar me çdo futbollist shqiptar që e konsideron si një element të rëndësishëm për fanellën kuqezi. Pastaj është vetë lojtari që vendos, nëse e pranon ftesën apo ajo.
Këtu bëjnë pjesë edhe lojtarët kosovarë dhe duhet thënë se politika e FSHF-së nuk pëlqehet shumë në Kosovë. Rasti i Dakut dhe Mujës, të ftuar nga Silvinjo në eliminatoret e fundit, e nxiti më shumë debatin, nëse Shqipëria duhet të marrë apo jo lojtarët kosovarë.
E ndërsa polemikat bëhen më së shumti me mesazhe në distancë, te Kosova duket se kanë filluar të marrin masat dhe t’i paraprijnë situatës. Në listën e trajnerit të ri të “Dardanëve”, Franko Foda, figuronte edhe emri i Drilon Hazrollajt, një sulmues krahu 20-vjeçar, që po shkëlqen me Malishevën.
Nga shtypi sportiv në Kosovëë është bërë me dije se Hazrollaj është talenti më i fundit që Shqiparia ka pasur në shënjestër, ndaj dhe është vepruar me shpejtësi nga Kosova për ta grumbulluar këtë lojtar për miqësoret e radhës.
Së fundi ka pasur kontakte nga FSHF me lojtarin në fjalë, që mund të luante si me Shqipërinë e Silvinjos, ashtu edhe me atë U-21 të Bushit.
Aktualisht, fanella kuqezi josh më shumë. Kualifikimi i Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë ka rritur dëshirën e shumë lojtarëve të talentuar të bëhen pjesë e saj dhe Hazrollaj mund të ishte një i tillë, ndaj dhe te Kosova i kanë paraprirë situatës. Hazrollaj ka luajtur për Kosovën U-19 dhe U-21.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.