Shkencë

Gara për ndërtimin e Diellit në Tokë

Në jug të Francës është pranë përfundimit laboratori gjigant ku më shumë se 30 vende të Europës, Rusia, Japonia, India dhe SHBA do të përpiqen që të “ndërtojnë” Diellin në Tokë.

Bëhet fjalë për “International Thermonuclear Experimental Reactor”, objektivi i të cilit do të jetë prodhimi i energjisë përmes shkrirjes/bashkimit të atomeve, metoda e kundërt e shpërbërjes së atomeve me të cilën prodhojnë sot energji pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara.

Teorikisht, shkencëtarët thonë se kjo metodë jo vetëm që nuk lë pas mbetje radioaktive, por mund të jetë edhe burimi i energjisë së pashtershme.

Megjithatë, në këtë treg ka konkurrencë të madhe. Kinezët kanë raportuar më herët se kanë arritur që ta ndërtojnë një laboratori të tillë, megjithëse pa publikuar asnjë provë. Ata thonë se “ndërtuan Diellin” artificial” që kap temperaturën 100 mln gradë celcius.

Projekti është vepër e Akademisë Kineze të Shkencave dhe për të kuptuar se me sa rëndësi është ky zbulim mjafton të përmendim faktin se në sipërfaqen e Diellit, atij të vërtetit, temperatura shkon rreth 15 milionë gradë celcius.

Kinezët thonë “Dielli artifical”, njohur me akronime si EAST (Experimental Advanced Superconducting Tokamak) dhe koncept i denjë për skenaret e filmave hollivudianë sci-fi, është ndërtuar sipas shëmbëlltyrës së sistemit tonë diellor për të kuptuar se si Dielli gjeneron energjinë e tij kolosale deri në skajet më të largët të këtij sistemi.

EAST është një makineri gjigante e ndërtuar në formë vezoreje e vendosur brenda një kutie. Projekti ndodhet në Ishullin e Shkencës, në provincën Anhui, në Kinën Veriore dhe përdor fusionin nuklear për të prodhuar nxehtësi të lartë. Nga përllogaritjet, çdo ndezje e makinerisë ka një kosto prej 15 mijë dollarësh.

Objektivi i shkencëtarëve kinezë është që të kuptojnë në thelb fusionin nuklear dhe në një të ardhme ta përdorin atë si burim energjie të pastër në tokë. Aktualisht, energjia nukleare përdoret gjerësisht si burim energjie me procesin e kundërt të fusionit, atë të ndarjes së atomeve, që lë pas mbetje toksike afatgjata.

Jo vetëm kinezët…

Duket se më pranë realizimit të këtij objektivi janë gjermanët e Institutit Max Planck në Greifswald. Në këtë institut nisi një vit e gjysmë me parë ndërtimi për herë të parë ndërtimi i një reaktori me fusion nuklear, që shkencëtarët e pagëzuan me emrin “Stelarator”.

Por, që prej ndërtimit pyetja e madhe që ka shoqëruar studiuesit e përfshirë në këtë projekt është; a punon ky reaktor sipas asaj që është hedhur teorikisht në letër? Të dhënat duket se janë pozitive.

Gjithsesi, studiuesit thonë se janë ende dekada larg ndërtimit të kësaj teknologjie, që do të zëvendësonte mjetet tradicionale të energjisë së tanishme, madje edhe reaktorët e deritanishëm të centraleve bërthamore.

Të gjithë reaktorët tradicionalë bërthamorë që përdoren aktualisht nga vendet e zhvilluara për burime energjitike përdorin një teknikë; atë të ndarjes së atomeve. Edhe procesi i kundërt fusion, pra ai i bashkimit të atomeve siguron energji, madje shkencëtarët thonë se e bën këtë proces me një siguri dhe sasi më të madhe.

Fusion edhe për hidrogjenin

Në dy studime të ndryshme paralele me njëri-tjetrin, shkencëtarët kanë arritur në një përfundim të njëjtë, që mund të përkthehet në fund të varësisë nga energjia e naftës dhe derivateve të saj. Bëhet fjalë për një studim të Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT) në SHBA dhe të Joint Europian Torus (JET) në Europë.

Në të dyja rastet shkencëtarët thonë se kanë bërë një hap të madh përpara drejt energjisë së pastër dhe pa limit. Ata thonë se kanë zbuluar një metodë të re për gjenerimin e energjisë nga procesi i shkrirjes (bashkimit) të atomeve të hidrogjenit (fusion).

Komponenti kryesor është plazma, që në reaktorët tradicionalë përbëhet nga dy llojë jonesh, ndërkohë që në eksperimentin e MIT dhe të JET bëhet fjalë për një lloj të ri plazme, të përbërë nga 3 atome hidrogjen, deuterium (njohur ndryshe edhe si hidrogjen i rëndë).

Kjo lloj plazme, thotë Dr John Wright, pjesë e grupit të shkencëtarëve që po punojnë me këtë eksperiment, nëse nxehet mjaftueshëm është në gjendje që të prodhojë energji palimit dhe krejtësisht të pastër.

Gjithsesi, në të dyja studimet e publikuara në revistat shkencore, vihet në dukje se do të duhen ende shumë vite punë kërkimore të kësaj lloj plazme dhe më pas mund të mendohet për ndërtimin e një motori që do të shfrytëzojë këtë metodë për prodhimin e energjisë.

Së bashku me gjendjen e ngurtë, të lëngshme dhe të gaztë, plazma përbën katër nga gjendjet thelbësore të materies. Por ndryshe nga tre të parat, që prodhohen dhe gjenden në natyrë, plazmat mund të krijohen vetëm artificialisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë