Drejtësia

Gara për kreun e ri të SPAK, sot afati i fundit për aplikimet e kandidatëve

Gazeta Si – Sot më datë 8 tetor 2025, është afati i fundit i aplikimeve për kandidatët, të cilët synojnë të jenë drejtues të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pas 18 dhjetorit kur përfundon edhe mandati i Altin Dumanit.

Një ditë më parë, prokurori i posaçëm Elvin Gogaj dorëzoi aplikimin e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ndërsa sot pritet të dorëzojnë aplikimet edhe Adnand Xholi, Klodian Braho dhe Doloreza Musabelliu.

Mandati i drejtuesit të SPAK ështe 3-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje. Në 6 vitet e ekzistencës, SPAK është drejtuar nga Arben Kraja dhe Altin Dumani, me këtë të fundit që mbyll mandatin e tij në dhjetor. 

Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij etj.

Zgjedhja e drejtuesit të SPAK-ut mbështetet në disa kritere kyçe si: përvoja në trajtimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, aftësitë për të drejtuar, një plan të qartë dhe të besueshëm për funksionimin e institucionit, si dhe reputacioni profesional gjatë karrierës.

Pasi mbyllet afati për paraqitjen e kandidaturave, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka një afat prej jo më shumë se 10 ditë për të verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet. Më pas, ai i paraqet listën për miratim në mbledhjen plenare.

Votimi për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme është i hapur dhe bëhet nominalisht, pra me emër. Fiton kandidati që merr më shumë vota sesa të tjerët.

Nëse ndodh që dy ose më shumë kandidatë marrin të njëjtin numër votash, atëherë Këshilli zhvillon një raund të dytë votimi vetëm mes atyre kandidatëve që kanë barazim, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë