Gazeta Si – Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se ka filluar procedurat për të zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK dhe se intervistat me kandidatët do të zhvillohen më 11 dhjetor 2025, në orën 09:00.
Në fazën e dytë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë me procesin e zgjedhjes së Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në garë janë regjistruar katër kandidatë, Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj, të gjithë pjesë e strukturës aktuale të SPAK. Mandati tre vjeçar i Altin Dumanit përfundoi dhe pritet që ai të largohet në 18 dhjetor.
Sipas rregullores, pas intervistimit, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) duhet të zhvillojnë edhe procesin e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.
Pasuesi i Altin Dumanit do të zgjidhet në 11 dhjetor 2025, ndërsa detyrën pritet ta marrë zyrtarisht më 19 dhjetor, datë kur do të bëhet edhe ceremonia e kalimit të kompetencave nga drejtuesi aktual te ai i riu, zakonisht përmes një konference për shtyp.
Kreu i ri i SPAK do të ketë kompetencën të zgjedhë dy shefat e seksioneve: atë të Korrupsionit, si dhe atë të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit. Aktualisht, shef i seksionit të Korrupsionit është Klodian Braho, ndërsa shef i seksionit të Krimit të Organizuar dhe zv/drejtues i SPAK është Adnan Xholi. Po ashtu, drejtuesi i ri do të zgjedhë edhe koordinatorin e marrëdhënieve me jashtë, post që aktualisht mbahet nga prokurorja Dorina Bejko.
Këto pozicione emërohen drejtpërdrejt nga drejtuesi i ri i SPAK, i cili zgjedh ekipin me të cilin do të punojë dhe bashkëpunëtorët më të afërt. Kreu i SPAK zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të KLP-së.
Për zhvillimin e mbledhjes duhet të jenë të pranishëm të paktën 7 anëtarë të Këshillit. Sipas rregullores, kandidatët kanë një kohë të përcaktuar për prezantimin e platformave dhe më pas i nënshtrohen pyetjeve nga anëtarët e KLP-së.
Adnan Xholi – Shërben si prokuror pranë SPAK, shef i Seksionit të Krimit të Organizuar. U emërua për herë të parë në vitin 2004, ka një eksperiencë të gjatë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Klodian Braho – Punon si prokuror në SPAK që nga themelimi i tij, aktualisht shef i Seksionit kundër Korrupsionit. Është emëruar prokuror në vitin 2007, ka përvojë shumë vjeçare në sistemin e drejtësisë.
Elvin Gokaj – Prokuror me përvojë të gjatë, pjesë e strukturës së SPAK. Ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Doloreza Musabelliu – Aktualisht është prokurore në SPAK, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka marrë pjesë në hetimin e dosjes së njohur “Plumbi i Artë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



