Politike

Gara për Avokatin e Popullit: PS nuk ka ende një emër! Të gjejmë konsensus me opozitën

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u bëri sot thirrje partive politike që të ulen dhe të zgjedhin me konsensus Avokatin e ri të Popullit.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Grupit të PS-së, Balla theksoi se mazhoranca nuk ka ende një emër që mbështet, pasi procesi është në fazën e paraqitjes së kandidaturave.

“Kandidatura duhet të përmbushë kriteret dhe t’i japë institucionit kredibilitetin që i takon. PS nuk e ka sot një emër për shkak se jemi ende në fazën kur shprehen interesat. Fokusi është që tre grupet parlamentare të opozitës të japin propozimet e tyre. Nga nesër, ose kur të mblidhet komisioni, propozimi im është institucionalizimi i një komunikimi opozitë–maxhorancë për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme që Kuvendi s’e ka zgjedhur ende Avokatin e Popullit”, tha Balla.

I pyetur për idenë e një Parlamenti me dy dhoma, që është propozuar nga opozita, Balla sqaroi se një diskutim i tillë është pjesë e një reforme më të gjerë institucionale të prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama.

“Kryetari Rama, në mbledhjen e Asamblesë më 11 shtator, ka prezantuar disa propozime që lidhen me vizionin për ‘Shqipërinë 2030’, në kuadër të një reforme të madhe institucionesh. Një prej tyre është edhe ideja e një Kuvendi me më pak deputetë, jo më 140 por 101. Qëllimi nuk është numri, por ndryshimi i rolit të deputetit dhe i funksionimit të jetës parlamentare”, tha Balla.

Sipas tij, Partia Socialiste ka përgatitur një ligj të ri për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, i cili pritet të përfshijë edhe statusin e deputetit dhe aspekte të tjera të reformës institucionale.

Në përfundim, Balla iu bëri thirrje grupeve parlamentare që të dërgojnë emrat e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në mënyrë që miratimi të bëhet në seancën plenare të së enjtes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë