Këtë vit mbushen 3 dekada nga hedhja në hapësirë e teleskopit “Hubble”, një projekt i përbashkët i Agjencisë Hapësinore Amerikane, NASA dhe Agjencisë Hapësinore Europiane, ESA.
Për të kujtuar këtë përvjetor, ESA ka publikuar një imazh të fundit të shkrepur nga një prej teleskopëve më të suksesshëm të hedhur ndonjëherë në hapësirë. Imazhi tregon galaksinë “UGC 2885”, që deri më tani shkencëtarët besojnë se është galaksia më e madhe se galaksia jonë “Rruga e Qumështit” dhe përmban 10 herë më shumë yje.
Shkencëtarët po përpiqen që të kuptojnë arsyet e madhësisë së kësaj galaksie, që ndodhet 232 milionë vite dritë larg nesh në yjësinë Perseus.
Teoritë fillestare të tyre thonë se fakti që kjo galaksi nuk ka galaksi fqinjë e ka kursyer nga përplasjet e mundshme ndërgalaktike, duke i mundësuar një zgjerim të qetë yjor përmes thithjes së gazrave hapësinorë. Megjithatë, procesi i formimit të një ylli në këtë galaksi, sipas shkencëtarëve, është shumë herë më i ngadaltë në krahasim me procesin e formimit të një ylli në galaksinë tonë.
Pavarësisht masivitetit të saj, ESA thotë se kjo galaksi është “e qetë” dhe për këtë arsye e ka pagëzuar me emrin “Gjiganti i fjetur”, pasi deri më tani teleskopi Hubble nuk ka kapur aktivitetet të “dhunshme” kozmike brenda kësaj galaksie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.