Ngjarje

Gabimisht… Halloween …

Nëse do të ekzistonte një dedektor për të gjetur se ku festohet Halloween në Tiranë, me siguri harta nuk do të ishte e mbushur me pulsime të kuqe.

Ardian Garunji qëndron stoik tek qoshku i vet si prej 7 vitesh, tek rruga “Sami Frashëri”. E sheh duke gdhendur kunguj deri në momentet e fundit edhe kur mendon se nuk do të ketë më as edhe një klient të vetëm për të blerë një nga simbolet më të preferuara të festës së Halloween.

Ardian Garunji

“Këtë vit ka qenë më keq se vitin e kaluar”- më thotë Garunji.

Më kujtohet një vit më parë në prag të festës së 31 tetorit teksa bënte bilancin, do të më tregonte se 2018-a ishte viti më i keq për shitjen e kungujve dekorativë.

“Ndërsa një vit më parë (2017-ën) në 3-4 ditët e para shisja 500 kunguj dekorativë, këtë vit kam shitur veç 50 të tillë (2018).”- do të më thoshte Garunji.

Duke shëtitur më këmbë nëpër disa lagjje të Tiranës vëren grupe fëmijësh 5-6 veta të veshur me kostume të ndryshme të ngjyrave; e zezë, e kuqe e thellë, gri, blu, me maska të frikshme dhe shporta në duar duke imituar traditën anglosaksone Treat or trick (shpërblim apo hile) duke shpresuar që ato shporta t'i mbushin me karamele.

Në një tjetër lagje në anë të rrugës të kap vështrimi një grup adoleshentësh, shokë të një klase, të veshur si në vitet 60, me paruke me ngjyra jo të zakonshme, të pikturuar në fytyrë, të cilët të thonë se do të shkojnë të festojnë në një lokal.

Zona e Ish Bllokut zhurmon si përherë, pavarësisht nëse kalendari shënon me të kuqe.
Nëse ecën në bulevard drejt Ambasadës italiane në rrugë nuk e kupton nëse ka festë, as lokalet në rrugicat rreth RTSH-së nuk janë impenjuar të zbukurojnë mjediset sipas festës. Tek- tuk vëren të rinj që i qasen lokaleve të pikturuar, apo me ndonjë maskë modeste.
Por gjithsesi, janë pak.

Mandej tek i avitesh “Padam-it” aty gjen atmosferën e vërtetë Halloweeniane.


Teksa ndeshesh me një atmosferë të vaktë në kërthizë të kryeqytetit të një feste që e kemi adoptuar në fillim të viteve “90-të, por kurrë nuk është bërë dot e jona, ngre një pyetje; po më në periferi të kryeqytetit a ka shenja feste?

Në “Astir” një baba shoqëron të bijën tre vjeçe sëbashku me fëmijët e lagjes të trokasë nëpër dyert e fqinjëve për të mbushur shportën me karamele.
Aty të thonë se “kjo është festë e fëmijëve”. Nuk ka bare të zbukuruar, as njerëz që festojnë.

Teksa një vit më parë disa lokale ofronin rezervime për 31 tetorin dhe mjedise të zbukuruara sipas rastit, këtë vit nuk kishte as përpjekjen më të vogël.


Taksist Skënderin, rreth të 65-ave e ndesh tek rruga përballë qendrës tregtare "Toptani".
“Për në Sauk”- i them. Teksa muzgu kishte orë që kishte rënë në qytet dhe njerëzit ishin mbledhur nëpër shtëpi, sa më shumë i largoheshe qendrës, aq më shumë zhdukej në eter atmosfera festive.

Gjithçka ishte në normalitetin e tij. Taksist Skënderi më prezantoi me të gjithë baret që sipas tij mbahen si më të mirët në Sauk.

Asnjë gjurmë feste. Me sa dukej fëmijët kishin rënë të flinin që në 8:00 pm, tavolinat nëpër bare që ishin me njerëz numëroheshin me gishta dhe ishin duke gjerbur kafen e pasdites së vonë, pa asnjë motiv festiv.

Ngrinin supet tek i pyesje për Halloween dhe të jepnin një buzëqeshje mes ironisë e shakasë dhe talljes.

Taksist Skënderi gjatë udhës së shkurtër më thoshte se “Kush feston në këtë gjendje të vështirë ekonomike, moj bijë?! Edhe ne fëmijëve tanë nga një maskë të thjeshtë u blemë. Janë shtrenjtuar gjërat shumë dhe mundësirat për të fituar para kanë rënë. Unë kam 20 vite që jam taksist në këtë zonë. Dy vite më parë festohej kjo festë apo jo? Dilnin njerëzit që në mëngjes të veshur dhe me maska e në darkë rruga mbushej plot me të rinj që festonin. Vjet më pak, kurse këtë vit nuk ka fare”

Ai gati më thoshte se ndjehej mirë që nuk po festohej, sespe nuk është festë e traditës tonë.

“Kjo nuk është festë e jona. Unë jam katolik nga veriu. Ne festojmë datën 1 nëntor, festën e të vdekurve. Shkojmë në varreza, ndezim qiri, gatuajmë bollshëm për vete dhe i japim edhe të tjerëve sepse themi që kur hamë ne, hanë edhe të vdekurit”- më tregonte taksist Skënderi teksa makina rrëshiste në asfalt, pa trafik dhe atmosfera ishte e qetë, një mbrëmje e zakonshme prag nëntori.

Me ekonomi, pa ekonomi janë disa festa komerciale të huazuara që përpos entuziazmit fillestar që të kaplon për t'i përqafuar, nuk po zënë dot vend në një shoqëri që pak më shumë se 30 vite më parë ushqehej me tollona.

Halloween në anglisht ka kuptimin e Gjithë Shenjtorët.

E ashtuquajtura Halloween në origjinën e saj është një festë katolike (termi Halloween është vetëm një gjymtim dialektor irlandez).

Sipas disa evdencave me shumë mundësi katolikja i mbivendoset asaj që në Irlandën pre-kristiane ishte përsëritja e Samhain (festa e “fundit të verës”, por edhe momenti në të cilin, për një zinxhir arsyesh, bota ndihej më afër Sidhe – bota e ndërmjetme jo spirituale, që ishte harruar edhe nga teologjia, mes botës së lehtë dhe asaj spirituale.
E megjithatë, festa e Samhain-Të gjithë Shenjtorët është festuar për shekuj me radhë në Irlandën kristiane pa “turbulluar shpirtra” apo “të shtynte drejt satanizmave” (për tu kujtuar është që Keltët e Irlandës ishin mes evangjelistëve më të mëdhenj në Europën e Mesjetës).

Por ku lind historia e HALLOWEEN “SATANIK”?

Është thënë herët: nga paragjykimi i fanatizmit protestant anglo-sakson –si ai i llojit amerikan – që kur në mes të ’800 vërehen mijëra nga këta emigrantë të çuditshëm irlandezë, të varfër, me zakone të pazakonta, duke vajtuar një gjuhë të errët keltike ose në një anglishte të përafërt dhe mbi të gjitha "papistët" katolikë, e demonizuan menjëherë folklorin e tyre piktoresk.

Të gjithë Shenjtorët – e duhet kujtuar që për Protestantët kulti i shenjtorëve është idhull siç është për Vehabitët modernë të Arabisë – ishte një festë ambigue, “pagane”, e lidhur me një fe të urryer (Katoliçizmin).

Ka zëra në lidhje me kuptimin “satanik” të festimeve dhe ritualeve folklorikenë lidhje me këtë përvjetor, deri në gjenerimin e asaj që druhej! Halloween bëhet në SHBA sinonim i festës “ambigue”, të errët, realisht “pagane”, që feston vdekjen.

E nëse sot realisht shumë “satanistë” apo “shtrigëza” kanë nominuar 31 tetorin si festë vjetore të tyren, i detyrohemi në mënyrë paradoksale, veprës së protestantëve fanatikë.
Gjithsesi ne kemi festën tonë të të vdekurve, por që sipas Katolikëve ka qenë dhe mbetet një festë tërësisht dhe thellësisht shpirtërore e aspak komerciale që është një festë përshpirtjeje të të larguarëve nga kjo jetë dhe shumë private. Kjo e Tiranës ishte gabimisht Hallloween që duam ta importojmë pa para .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë