Futboll

Gabimet në Champions, shtypi francez ‘djeg’ sërish Donarumën: I pakorrigjueshëm!

Gazeta Si – Donaruma dhe Championsi nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Portieri i Italisë, kundërshtar i parë i kuqezinjve në Europianin e Gjermanisë, përjetoi një mbrëmje shumë të vështirë në Champions ndaj Barcelonës, e disata për të në kompeticionin madhor të klubeve.

‘Gardiani’ i portës së PSG-së gaboi në dy nga tre golat e shënuar nga Barcelona në Paris dhe shtypi francez, por jo vetëm, e ka kritikuar ashpër.

“I pakorrigjueshmi Donaruma”, – shkruan ‘L’Equipe’, duke e vlerësuar me notën 3. Vetëm gjysmë note më shumë nga ‘Le Parisien’ për portierin italian. Gazetat sportive evidentojnë faktin se mungesa e vëmendjes ndaj Barcelonës barazohet me gafën ndaj Benzema në 2022-shin. Një gabim që kurrë nuk harrohet.

Në këtë pikë e ardhmja e portierit mund të marrë një drejtim tjetër në verë. I pasigurt në dalje, Donaruma tregoi pak konfidencë edhe në lojën me këmbë. Nga një pasim i gabuar i tij erdhi golin i barazimit 2-2 nga Rafinja, që i hapi rrugën përmbysjes së katalanasve.

“Ter Shtegen bëri një pritje më shumë se Donaruma, por ishte shumë më shumë vendimtar. Nuk ishte në nivelin e kërkuar, një zakon i keq në Champions gjatë pranverës”, – ka shkruar ‘L’Equipe’. Nëse gafa ndaj Realit u justifikua me një faull të mundshëm të Benzema, për të mërkurën 25-vjeçari nuk ka çfarë të thotë.

Në qershor Donaruma do të mbrojë portën e Italisë në Europian me një presion të madh. PSG ndërkohë mund ta nxjerrë në shitje portierin që ka kontratë deri më 30 qershor 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë