Nga Gazeta ‘Si’- Udhëheqësit e vendeve të G7 janë mbledhur në Kanada, ku pritet të diskutojnë lidhur me përshkallëzimin e luftës mes Iranin dhe Izraelit, e cila ka hyrë në ditën e saj të 4-t.
Kancelari gjerman Fridrih Merz tha se synimet e tij për samitin, përfshijnë frenimin e Iranit për të mos zhvilluar e zotëruar armë bërthamore, garantimin e së drejtës së izraelit për t’u mbrojtur, shmangien e përshkallëzimit të konfliktit dhe krijimin e hapësirës për diplomaci.
Në prag të samitit, presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen tha në një konferencë të përbashkët me kreun e Këshillit Antonio Costa, se një zgjidhje e negociuar mbi Iranin do të ishte zgjidhja më e mirë afatgjatë.
Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmail Baghaei, ftoi Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe të angazhohen për të bindur Izraelin të ndalë sulmet kundër tyre.
Sipas tij, reagimi europian ndaj situatës është i pamjaftueshëm dhe kontradiktor nga këndvështrimi politik.
Sipas Teheranit, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, pra vendet firmëtare të marrëveshjes bërthamore të 2015 duhet të dënonin ashpër sulmet e izraelit. Ai tha se Irani po mendon të tërhiqet nga traktati i mospërhapjes së armëve bërthamore, edhe pse siç thekson vijon të jetë kundër zhvillimit të këtyre armatimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.