Nga Gazeta ‘Si’-Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) kanë mbështetur zgjatjen e mëtejme të ndalimit aktual të luftimeve në Gazë.
Përmes një deklarate për media, G7 tha se pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës dhe lehtësimin për lirimin e të gjitha pengjeve të marra nga Hamasi – grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Çdo përpjekje duhet të bëhet duke u siguruar mbështetja humanitare për civilët… Ne mbështesim zgjatjen e mëtejme të kësaj pauze dhe pauzat e ardhshme duhet të lejojnë që ndihma të rritet dhe të lehtësohet lirimi i të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të G7-s.
Armëpushimi aktual mes Izraelit dhe Hamasit, grup radikal që udhëheq me Gazën, është armëpushimi i parë pas shtatë javësh luftë, që ka rrafshuar Rripin e Gazës dhe ka lënë të vrarë mbi 15.000 persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.
“Ne si G7 bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve”, u tha në deklaratën e G7-s.
Në deklaratë po ashtu u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por po ashtu u tha se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët dhe të respektohen ligjet ndërkombëtare”.
Ministrat e G7-s thanë po ashtu se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata po ashtu kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej.
Në G7 bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




