Taksa

G20 jep ‘ok’ për taksimin e miliarderëve, por s’ka dakordësi për vendin e takimit: OKB nuk ka ekspertizë, OECD, organizata e të pasurve

Deklarata e përbashkët krerëve të financës në vendet e G20-s shpreh zotimin për të bashkëpunuar në mënyrë efektive për taksimin e pasanikëve.

Ministrat e Financës dhe drejtuesit e Bankave qendrore nga G20 dakordësuan “taksim të drejtë” për superpasanikët e planetit.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin për të siguruar se individët utra të pasur të taksohen efektivisht”, shkruhet në draftin final të deklaratës së G20 që po mbahet në Rio de Janeiro.

Por ata nuk kanë vendosur se ku do të mbahet një debat i tillë, në OKB apo OECD, organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Sekretarja e thesarit amerikan, Janet Yellen tha se do të ishte më mirë që të diskutohej në OECD, që kryen herë pas here negociata midis vendeve.

“Nuk duam ta shohim këtë nëë OKB. OECD është një organizatë e bazuar në konsensus. OKB nuk e ka ekspertizën teknike për ta bërë”, tha Yellen.

Vendet e mëdha në zhvillim tashmë e kanë përthithur këtë qasje, sipas një zyrtari të njohur me këtë çështje, i cili tha se Brazili duhet të përdorë presidencën e tij të G20 për të çuar përpara diskutimin si në OKB ashtu edhe në OECD.

Disa nga avokatët më të zëshëm të një takse minimale globale për miliarderët, përfshirë laureatin e Nobelit Joseph Stiglitz, këmbëngulën se OKB-ja ishte forumi i duhur për bashkëpunimin global tatimor.

"Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të G20 që të harmonizohen me përparimin që po bëhet në OKB dhe të krijojnë një proces vërtet demokratik për vendosjen e standardeve globale për taksimin e ultra të pasurve," tha Susana Ruiz, drejtuesja e politikave tatimore të Oxfam International.

“T’i besosh këtë detyrë OECD-së – klubit të vendeve kryesisht të pasura – thjesht nuk do të ishte mjaft e mirë”, shtoi ajo.

Zyrtari brazilian i Ministrisë së Financave, Guilherme Mello, tha se Konventa Kuadër e OKB-së për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Tatimor përfaqësonte një fitore për vendet në zhvillim të "Jugut Global", të cilët kërkojnë një vend ku të përfaqësohen më mirë, pasi shumica e vendeve nuk janë anëtare të OECD.

Megjithatë, Mello njohu si OECD ashtu edhe OKB-në si forume legjitime dhe ai tha se një diskutim i vazhdueshëm se si të tatohen efektivisht super të pasurit është përparim, pavarësisht nga forumi.

"Forma që do të marrë kjo varet nga shumë dialogje që do të zhvillohen," shtoi ai.

Disa vëzhgues mbetën skeptikë në lidhje me shanset për një "taksë miliarderësh" globale që synon pasuritë më të mëdha në botë.

Zyrtarët europianë theksuan se as Bashkimi Europian prej 27 vendesh nuk ka fuqinë e taksimit si bllok. Megjithëse Franca i dha mbështetje të hershme një takse minimale globale të pasurisë, gjermanët kanë ofruar rezistencë të ashpër.

"Duket se mund të jetë shumë e vështirë për ta çuar këtë përpara," tha një zyrtar europian në takimet e G20./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë