Gjykata e Gjirokastrës për herë të parë ka marrë vendim kundër nxitjes së urrejtjes dhe dhunës e fyerjeve të simboleve kombëtare, duke dënuar me 8 vjet e 6 muaj burg Mondi Kolilën, kryetar i Lëvizjes për Ringjalljen e Vorio Epirit.
Ky është dënimi i parë në Shqipëri për fyerjen ndaj simboleve kombëtare, shkruan Gazeta Shqiptare.
Kolila akuzohet për një deklaratë fyese që bëri ndaj shqiptarëve më 12 maj 2018 në një tubim në fshatin Bularat të Gjirokastrës.
Organizatori Mondi Kolila ka mbajtur fjalime në lidhje me të ashtuquajturën çështje të Vorio Epirit ku janë shpërndarë libra në gjuhën greke që paraqesin rrethana e fakte historike disinformuese në lidhje me këtë çështje që nxisin urrejtje ose grindje midis kombësive racave dhe fesë.
Gjithashtu gjatë tubimit janë shpalosur dy flamuj grekë me mbishkrimin 1914 (flamuj të Vorio Epirit), të cilët janë hequr mbas mbarimit të këtij aktiviteti.
58-vjeçari Mondi Kolila, lindur e banues në Himarë me shtetësi shqiptare e kombësi greke është dënuar për veprat penale “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve”, “Shpërndarje e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestimeve të paligjshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.