Ka ndodhur

Futja e 1.2 mln euro false në Shqipëri, edhe një zvicerane bashkëpunëtore e dy kamerunasve

Gazeta Si – Pas arrestimit të dy shtetasve nga Kameruni të cilëve iu sekuestruan rreth 1.2 milion euro false brenda disa ditësh në Rinas, është ndaluar edhe një grua 40-vjeçare nga Zvicra.

Policia thotë se nga sektori i Krimit Ekonomik, është ndaluar Jeniffer Collet, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e dy kamerunasve. Sipas policisë dhe prokurorisë, rol kryesor në këtë skemë mësohet se ka pasur 45-vjeçari, Zinedin Nkeh.

Fillimisht ai i kishte thënë mikut të tij të arrestuar në datë 17, Josoue Ngankam që të merrte valixhen me para dhe do takoheshin në Shqipëri. Kamerunasi Zinedin Nkeh kishte 10 ditë që kishte ardhur në vendin tonë.

Më datë 13 shkurt, ai është nisur me linjën Paris-Stamboll, Stamboll-Podgoricë dhe nga Podgorica kishte hyrë në territorin shqiptar në rrugë tokësore me taksi.

Ndërkohë, 40-vjeçarja zvicerane e arrestuar mbrëmjen e të enjtes, ka rreth 2 vite që jeton në Shqipëri pa pasur leje qëndrimi apo leje pune. Ajo prezantohej në vendin tonë si agjente imobilare dhe se bashkëpunonte me një shoqatë të huaj.

Puna e grupit hetimor është ngritur mbi dyshimet se paratë do të përdoreshin për blerjen e një prone, duke mashtruar një biznesmen.

Gjatë arrestimit të personit kyç në këtë skemë, Zinedin Nkeh, iu gjetën edhe disa solucione, të cilat ai i përdorte për të hequr bojën e zezë tek paratë, në mënyrë që të mos kuptoheshin që ishin false.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë