Futboll

Futbollit i nevojiten para, UEFA gati të zhdukë Fair Play Financiar

Futbolli europian do të jetë shumë më ndryshe në edicionet e ardhshme, pasi UEFA po bën gati ndryshimin radikal të Ligës së Kampioneve, që është turneu i saj më i ndjekur. Por përveç atij turneu, UEFA ka vendosur që tashmë t’i japë lamtumirën edhe Fair Play Financiar. UEFA pritet që së shpejti të vendosë një rregull të ri për ndershmërinë financiare, ndjeshëm më të butë se ai i vendosur në vitin 2010.

UEFA do të zhvillojë një konferencë të përbashkët me zyrtarë të Parlamentit Europian, për të parë se si mund të ndërtohet një rregullore e re, që të mund të ketë efekt mbi shpenzimet e tepruara të klubeve. Pritet që nga ligji aktual që parashikon “të harxhohet aq sa fitohet”, të kalohet në “harxho aq sa të duhet, pa shpërdoruar”.

Do të diskutohet mundësia e vendosjes së rrogës tavan, apo edhe shifrës tavan për transferimet, në total për lojtarë e total për klubin, por për të bërë një gjë të tillë duhet leje nga Bashkimi Europian, që ka rregullat e veta mbi tregtinë e lirë. Kështu, skuadrat do e kenë shumë më të lehtë të zerojnë bilancet negative dhe të rikthehen të shëndetshëm financiarisht. Për të mos prodhuar ekzagjerime për këtë rregull të ri pritet të bëhen përpjekje për të vendosur tavane mbi pagat dhe komisionet e agjentëve. Gjithashtu pritet të ketë një taksë luksi për blerjet e shtrenjta. Qëllimi i UEFA-s është ta miratojë këtë ligj në fund të këtij viti dhe ta fusë në fuqi në atë të ardhshmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë