Futboll

Futbollisti Radja Nainggolan arrestohet në Belgjikë për trafik droge nga Amerika Latine

Gazeta Si – Ish-futbollisti i kombëtares së Belgjikës, Radja Nainggolan, 36 vjeç, u arrestua mëngjesin e kësaj të hëne në Anversë me akuzën e rëndë të trfikut ndërkombëtar të drogës, të llojit kokainë.

Ish-mesfushori i Cagliarit, Romës dhe Interit është aktualisht në pyetje dhe prokuroria publike nuk jep shumë të dhëna.

Hetimi ka të bëjë me trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në portin e Anversës, i dyti më i madh në Europë.

Prokuroria e Brukselit e konfirmoi lajmin përmes prokurorit Julien Moinil, duke shtuar se Nainggolan ishte në mesin e të arrestuarve dhe se “në lidhje me prezumimin e pafajësisë, nuk do të jepet asnjë informacion i mëtejshëm”.

Klubi i tij i ri, Lokeren-Temse në divizionin e dytë belg (me të cilin Radja debutoi të premten duke shënuar një gol direkt nga goditja e këndit), nuk e ka komentuar ende lajmin.

Fillimi i mirë i Nainggolan, u ndërpre këtë mëngjes: ai pritej në stërvitje, por nuk mbërriti dhe mungesa e tij ngriti pikëpyetje te stafi i ekipit, derisa lajmi i arrestimit doli në media.

Sipas avokatit të tij, Nainggolan mohoi çdo përfshirje gjatë marrjes në pyetje. “Ai është futbollist, jo kriminel”, ka thënë Omar Souidi, i cili nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve për përmbajtjen e hetimeve.

Futbollisti ishte me të dashurën e tij kur policia ndodhej në derën e banesës së tij në Eilandje. “Por kur mori një telefonatë nga policia, ai e raportoi menjëherë”, sipas Souidi.

Si pjesë e hetimeve, rreth tridhjetë kontrolle banesash u kryen mëngjesin e kësaj të hëne midis Anversës dhe Brukselit.

Janë sekuestruar mbi 370 mijë euro para cash, 2.7 kilogramë kokainë, bizhuteri, monedha ari, katërmbëdhjetë automjete dhe armë.

Gjatë kontrollit të shtëpisë të hënën në mëngjes në “Braziliëstraat” në Antwerp (Anversë), një nga makinat e futbollistit u sekuestrua nga policia. Është një “Smart Brabus”, një version luksoz i makinës kompakte të qytetit.

Në tetor 2022, Nainggolan përfundoi në pranga, i arrestuar nga policia e Anversës, pasi drejtonte makinën pa patentë të vlefshme.

Dokumenti i tij u tërhoq në vitin 2021, pasi ai u ndalua në gjendje të dehur teksa drejtonte mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë