Gazeta Si – Ndahet nga jeta Sven Goran Eriksson, trajneri i madh suedez, i cili ka drejtuar dhjetëra skuadra të mëdha europiane. Ai ishte 76 vjeç dhe vuante prej disa kohësh nga sëmundja e kancerit.
Eriksson kishte drejtuar shumë skuadra në karrierën e tij: Gothenburg, Roma, Lazio në Itali, por do të mbahet mend mbi të gjitha si trajneri i parë i huaj që ulet në stolin e kombëtares angleze.
Suedezi vuante nga kanceri në pankreas dhe kishte njoftuar para disa muajsh se nuk i kishte mbetur edhe shumë për të jetuar.
Në vitin 2001, Eriksson u bë trajneri i parë i huaj në historinë e Anglisë dhe drejtoi “brezin e artë” që përfshinte lojtarë si David Beckham, Steven Gerrard, Ëayne Rooney apo Frank Lampard.
Detyrën si trajner të kombëtares angleze e la pas Botërorit të vitit 2006 dhe më pas drejtoi Meksikën dhe Bregun e Fildishtë.
Gjatë karrierës së tij, ai drejtoi edhe klube si Benfica, Roma, Fiorentina, Sampdoria dhe Lazio. Gjithashtu vlen të kujtohet finalja e Kupës së Kampionëve me Benfikën që humbi ngushtë kundër Milanit të Arrigo Sacchi-t.
Për shkak të problemeve të tij shëndetësore, ai la detyrën e drejtorit sportiv në klubin suedez Karlstad në shkurt të vitit 2023.
Pasi shpalli diagnozën e tij me kancer, Eriksson-it iu plotësua dëshira e tij e përjetshme kur ai drejtoi Liverpool Legends, pasi ata luajtën në një ndeshje bamirësie kundër Ajax në “Anfield” në mars 2024.
Ai e përshkroi atë moment si “absolutisht të bukur” dhe një “kujtim të madh” në jetën e tij, me Liverpool që fitoi ndeshjen 4-2.
Duke folur pak ditë më parër, Eriksson tha se shpresonte të mbahej mend si “një njeri i mirë” “Kam pasur një jetë të mirë. Mendoj se të gjithë kemi frikë nga dita kur vdesim, por jeta ka të bëjë edhe me vdekjen”, – tha ai, duke folur në fund të dokumentarit të “Amazon Prime ‘Sven'”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.