Holanda e viteve ‘70 ka qenë një ndër skuadrat më të forta të historisë së futbollit. Ishte skuadra që la gjurmë të forta në futboll, skuadra e epokës së Krojfit dhe Neskensit, sa për të përmendur dy nga emrat më të famshëm, por një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe Robi Rensenbrink, i cili është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare.
Nga viti 2015 Rensenbrink vuante nga një sëmundje muskulore, nga një ngrirje progresive e muskujve, një sëmundje e ngjashme me SLA-në. Ai kujtohet si një nga lojtarët më spektakolarë të asaj Holande. Një mëngjarash ofensiv, me një driblim të rrufeshëm, ai ishte një nga kolonat e Anderlehtit, klubit të tij në Belgjikë. Me Holandën i shkoi shumë pranë dy herë Kupës së Botës: për herë të parë në 1974-ën, kur humbi 2-1 kundër Gjermanisë, dhe në 1978-ën ndaj Argjentinës.
Pikërisht në finalen e 1978-ës ishte Rensenbrink që mund të kishte ndryshuar historinë. Pak sekonda para fundit të ndeshjes ai goditi shtyllën e portës së Argjentinës, që më pas fitoi 3-1. Nëse ajo gjuajtje do të kishte shkruar në rrjetë, Resensbrink do të ishte “hero”. Megjthatë, vlerat e tij janë të padiskutueshme dhe sot futbolli vajton një nga yjet e Holandës së madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.