Nga Gazeta ‘Si’-Futbolli ka qenë dhe do të mbetet një lojë, më e bukura në botë, siç i pëlqen ta quajnë organizmat më të mëdha botërorë dhe europianë, FIFA dhe UEFA. Megjithatë interpretimi i tij po shndërrohet në një art më vet, ose më më mirë të themi në një shkencë ekzakte.
Nëse dikur mjaftonte një trajner, përgatitës atletik dhe mjek e fizioterapist, sot me zhvillimin e teknologjisë dhe përfshirjes së saj në këtë sport, e ka bërë të detyrueshëm për të qenë edhe më efikas, përfshirjen e disa elementëve të rinj dhe një prej tyre është video-analisti, apo më shqip, analizuesi i pamjeve vizuale të lëvizjeve të lojtarëve të tu dhe padyshim të kundërshtarit.
Një profesion i ri i bazuar në statistika dhe mbi krahasueshmërinë e tyre, për t’i dhënë një support më të madh stafit teknik dhe kryesisht trajnerit që të vendosë se cilët lojtarë dhe cila skemë i përshtatet më tepër një kundërshtari të caktuar.
Në një intervistë për Gazetasi.al video-analisti i kombëtares shqiptare Alariko Rosi, si dhe shefi i departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit pranë FSHF-s, na tregon më tepër rreth këtij profesioni.

Mund të na thoni se pse, na duhen kaq shumë analistë, pasi thuhet se futbolli nuk është shkencë ekzakte?
Detyra kryesore e një analisti është të vërë në dispozicion të stafit të gjithë informacionin që është i nevojshëm për funksionimin e stafit. Pika fillestare për ta bërë këtë është të dish se futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Analiza e performancës bazohet pikërisht në këtë: një ndeshje, ose seancë stërvitore nuk mund të përsëritet saktësisht në të njëjtën mënyrë dy herë. Por informacioni që prodhohet ndikon në zgjedhjet e trajnerit, ndonjëherë edhe gjatë ndeshjes.
A ka analistë të trajnuar këtu në Shqipëri dhe sa kanë nevojë klubet për një të tillë?
Po bëjmë kursin e pestë për analistët. Javët e fundit kemi zbuluar se ka analistë të trajnuar nga FSHF, që punojnë për klube dhe agjentë në vende të ndryshme të Europës. Në Shqipëri analistët po rriten dhe ka trajnerë që ia kërkojnë presidentëve të kenë një analist. Katër skuadra të Kategorisë Superiore kanë një analist të rregullt këtë vit. Problemi i madh është se paisjet për analizat janë të shtrenjta, por ka filluar të ketë presidentë që e kanë kuptuar se janë shpenzime të nevojshme për klubin.
A ka ndryshuar mënyra e të parit të futbollit tani, që shifrat analizohen kaq shumë?
Në nivele të larta, po. Dhe ne tashmë kemi filluar të kemi informacione të qarta për këtë temë. Për shembull, gjuajtjet nga jashtë zonës zvogëlohen. Sepse trajnerët e kanë kuptuar se është më mirë të kesh pak raste me gola që shënohen më lehtë, sesa shumë tentime me vështirësi për të shënuar gola. Ata kanë interpretuar indeksin e golave të pritur dhe kanë ndryshuar mënyrën e tyre të shikimit në fazën sulmuese.
Sa mund të llogarisim në këto shifra për t’u bindur për suksesin e një lojtari apo një ekipi?
Ka ekipe në Europë dhe në botë që më shumë skautojnë me të dhëna sesa me vëzhgues. Kjo sepse teknologjia sot na lejon të jemi në gjendje të monitorojmë dhe të shikojmë ndeshje nga e gjithë bota. Për shembull, Sylvinho shikon ndeshjet e Asanit në Korenë e Jugut, dhjetë vjet më parë kjo do të ishte e pamundur. Për pjesën tjetër, futbolli është një sport dhe për këtë arsye është mbretëria e kaosit. Rezultatet nuk mund të parashikohen me statistika, por të dhënat mund të ndihmojnë në përmirësimin e lojës së ekipit dhe rrjedhimisht reduktimin e gabimeve nga lojtarët tuaj.
A ka ndryshuar ndonjë gjë që kur keni filluar këtë punë?
Në Shqipëri shumë. Kam ardhur në vitin 2017 dhe sot Federata po bën një punë të pabesueshme veçanërisht për strukturat. Nëse shikoj Shqipërinë e 2017-ës, sot është një botë tjetër. Por bota ecën kaq shpejt dhe është e vështirë të vazhdosh me të. Detyra e analistit është gjithashtu të mbajë të përditësuar për gjithçka që lidhet me lojën e ekipit dhe teknologjitë. Dy botë që deri pak vite më parë dukeshin sikur nuk do të takoheshin kurrë dhe që sot punojnë së bashku ditë pas dite.
Alariko me një eskepriencë shumë të madhe në këtë fushë, analizoi për ne këtë mbyllje të kampionatit shqiptar, të Kategorisë Superiore, ku padyshim ajo që ka marrë vëmendjen e të gjithëve është derbi dhe ecuria e Tiranës dhe Partiznit, të cilët këtë të mërkurë do të ndeshjen për të kuptuar më shumë se cila do të ketë më tepër mundësi të shpallet kampion në këtë vit, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga mbyllja e sezonit dhe kur Tirana, pas 32 javësh udhëheq me 2 pikë më tepër se Partizani.
Analiza e statistikave pragderbi Tirana-Partizani nga Alariko Rosi
Tirana dhe Partizani janë në fakt dy skuadra që kanë luajtur një kampionat më vete. Në shumicën e statistikave ata e gjejnë veten në krye të tabelave. Diferenca e madhe që përfiton Tirana është cilësia e sulmuesve të saj: më shumë se 41% e goditjeve godasin portën kundërshtare, ndërsa një goditje në çdo tre nga Partizani, ka të njëjtin efekt.
Jo çuditërisht, Patrick dhe Hasani (që të dy mungojnë, i pari për shkak dëmtimi dhe I dyti për shkak kartonësh) janë dy lojtarët e vetëm që kanë goditur objektivin në më shumë se 50% të përpjekjeve të tyre. Nëse Tirana komandon pothuajse në të gjitha përballjet me Partizanin, gjithmonë e bën shumë pak: Tirana driblon më pak se Partizani (dhe kjo është karakteristikë e lojtarëve individualist), por fiton më shumë duele; Tirana mban topin më shumë se Partizani dhe pëson më pak goditje në portë.
Nga ana tjetër, Partizani arrin të krijojë më shumë raste gol gjatë një ndeshjeje se sa në Tiranë, duke qenë se arrin të kompensojë cilësinë më të ulët për sa i përket shënimit. Megjithatë, ka një faktor që nuk mund të parashikohet kurrë: aspekti psikologjik i ndeshjes. Ajo që ndodhet brenda gjithmonë bën diferencën.
Tirana – Partizani
Gjuajtje për 90 min: 11.52 12.28
% gjuajtje në objektiv 41.8% 33.7%
Driblime për 90 minuta 26.42 30.72
% driblime te fituara 54.5% 52.7%
Prekje në zonën e 11-m 16.45 16.92
Gjuajtje kundër 7,79 8,94
Posedimi i topit 56% 54.2%
Duele ajrore 33.26 32.83
Duelet ajrore të fituara 44.9% 46.3%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




