Gazeta Si – Dhuna rikthehet frikshëm në futbollin shqiptar dhe më keq akoma, në atë të femrave, paradoksalisht në ditën kundër dhunës ndaj gruas. Ndeshja Tirana-Vllaznia, dy skuadrat që kryesojnë kampionatin, në vend që ishte një reklamë për futbollin shqiptar, u shndërrua në skenë dhune të paprecedentë.
Një ngjarje shumë e shëmtuar. U luajtën vetëm 22 minuta nga kjo ndeshje, sepse lojtaret në fushë dhe stafet teknike u përfshinë në një sherr masiv. Nuk është shumë i qartë shkaku që solli këtë dhunë absurde, që i çoi dy skuadrat nga fusha në polici.

Në këtë foto të publikuar nga Panorama Sport shihet Megi Doçi, lojtare e Kombëtares, që tenton të godasë me shkelm një lojtare apo një pjesëtar stafi të ekipit kundërshtar të shtrirë në fushë. Dhe të mendosh që vetëm dy ditë më parë FSHF lançoi strategjinë për zhvillimin e futbollit të femrave, ku kjo lojtare dhe shumë të tjera ishin të pranishme…
Për ngjarjen ka reaguar klubi i Tiranës, duke akuzuar ekipin e Vllaznisë si shkaktar të dhunës.
“Sot ishte planifikuar të luhej ndeshja Tirana Femra-Vllaznia Femra. Klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq. Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e fyer, më pas duke kaluar në dhunë fizike. Drejtuesit e Vllaznisë kanë ardhur në pankinën e Tiranës dhe kanë bërë akte të tmerrshme dhune, të godasin stafin teknik, drejtuesit dhe futbollistet e Tiranës.

Vllaznia ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami. Si klub, presim zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, që aktorët që po shkatërrojnë futbollin të marrin dënimin e merituar”, shkruhet në reagimin e klubit kryeqytetas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




