Futboll

Futbolli humbet Mbretin, shuhet Pelé në moshën 82-vjeçare

Gazeta Si – Futbolli botëror vajton për Pelé. Braziliani i famshëm nuk ia doli dot këtë herë. Ai ishte në gjendje të rëndë prej disa ditësh dhe sot ndërroi jetë. Lajmin e ka dhënë vajza e tij. ‘O Rei’ ishte 82 vjeç.

Mbreti iku, i qeshur dhe pozitiv deri në momentin e fundit të jetës. Bota e ka konsideruar si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave, pavarësisht disktutimeve të pafundme të opinionit për të dhë Maradonën. Nuk ka diskutim që Pelé ka qenë futbollisti më i kompletuar i historisë.

Pele ne oret e fundit te jetes dhe vajza e tij Keli Nashimento. Gazeta Si, 29 dhjetor 2022

Legjenda braziliane u shua në një nga dhomat e spitalit ‘Einstein’ të San Paolos, në Brazil. Trupi i tij nuk u përgjigjej më kimiove, pasi tumori kishte prekur edhe mushkëritë dhe mëlçinë. Kishte hyrë në terapi intensive dhe mbylli sytë dalëngadalë.

Pas Maradonës dy vjet më parë, ikën edhe një legjendë. Pelé është i vetmi lojtar në histori që ka fituar 3 tituj kampion bote me kombëtaren. Ai u shpall dy herë kampion bote me Brazilin pa mbushur 24 vjeç, në 1958-ën dhe 1962-shin. Pastaj edhe Kupa e 3-të në 1970-ën.

Për vite me radhë është folur se kush është më i madhi në histori, Pelé apo Maradona, por përgjigje nuk do të ketë kurrë. Më i kompletuar ka qenë braziliani, luante më të dyja këmbët, i fuqishëm fizikisht, i aftë të shënonte me kokë gola të pamundur, si ai në finalen e 1970-ës ndaj Italisë. Më vendimtar argjentinasi, një udhëheqës i skuadrave drejt majave.

Pele feston me Brazilin Kupen e Botes se 1970-es. Gazeta Si, 29 dhjetor 2022

Le të shohim pak numrat e brazilianit. Fitues i 3 Kupave të Botës, 1958, 1962 dhe 1970, në 1966-ën u masakrua nga shkelmat e bullgarëve dhe portugezëve. Ka luajtur vetëm në dy klube: Santos dhe Kosmos Nju Jork në fundin e karrierës.

Pelé ka fituar 10 tituj kampion në shtetin e San Paolos, 4 turne Rio-San Paolo, 6 kampionate braziliane, 5 të njëpasnjëshme ‘Taça Brasil’, 2 edicione të Kupës Libertadores, 2 të Kupës Interkontinentale, edicionin e parë të Superkupës së Kampionëve Interkontinentale dhe një kampionat në Amerikë.

Goli i tij ndaj Suedisë në finalen e 1958-ës është goli më i bukur në historinë e finaleve të Kupës së Botës. Mban rekordin e golave të shënuar në karrierë, 1281 gola në 1363 ndeshje. Në ndeshjet zyrtare ka shënuar 757 gola në 816 ndeshje, me një mesatare 0.93 gola për ndeshje. Bën pjesë në ‘National Soçer Hall of Fame’ dhe është zgjedhur nga ‘Time’ në ‘TIME 100 Heroes&Icons” të shekullit të 20-të.

Është shpallur “Thesar kombëtar” dhe “Trashëgimi historiko-sportive e njerëzimit”. Është ‘Futbollisti i shekullit’ për FIFA-n. Për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe për ‘International Federation of Football History&Statistics (IFFHS) është ‘Topi i Artë’ i shekullit. Nga FIFA ka marrë ‘Topin e Artë honorifik’.

Të dhënat e jashtëzakonshme teknike dhe numri i lartë i vlerësimeve ekipore dhe individuale e vendosin brazilianin në shkallën më të lartë të podit të futbollistëve të të gjitha kohërave, si dhe në podin e sportistëve më të mirë të historisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë