Kombetarja

Futbolli është edhe guxim, 4 lëvizjet kurajoze të Silvinjos që ndryshuan Shqipërinë

Nga Fatjon Rupi – Kualiteti, përgatitja e lartë fizike dhe mentale, impenjimi dhe përqendrimi janë elementë thelbësorë në futboll. Ka raste, sidomos për skuadrat e vogla, kur gjërat nuk ecin dhe këtu duhet edhe pak guxim për ndryshimin. Në të kundërt, do të mbetesh po brenda asaj guaske.

Silvinjo, trajneri i Kombëtares. Gazeta Si, 11 shtator 2023

Kombëtarja shqiptare prej kohësh po përpiqet të bëjë kapërcimin e madh, sepse tani ka lojtarë me shumicë dhe mjaft cilësorë. Dhe me Silvinjon ka goditur në shenjë. Jo vetëm për energjinë pozitive që ai përcjell në ekip dhe që të gjithë e vlerësojnë, zgjedhjet taktiko-teknike, por edhe sepse ai është një trajner kurajoz. Nuk është një trajner skematik si Reja.

Me të paktën 4 lëvizje të guximshme trajneri brazilian arriti ta ndryshojë Kombëtaren, siç po tregojnë rezultatet dhe performanca e saj në fushë në këto eliminatore. Ato janë Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami dhe sigurisht Jasir Asani.

Silvinjo vendosi të krijonte stabilitet në mbrojtje dhe për të zgjidhur problemin e krahut të majtë preferoi Mario Mitajn. Kurajoz aktivizimi i shkodranit titullar, ndoshta edhe pak i paragjykuar, por koha tregoi se trajneri ka vepruar drejt. Ai këmbënguli për një lojtar tipik roli, duke lënë mënjanë modifikimet.

Ylber Ramadani ishte një tjetër zgjedhje e goditur e trajnerit kuqezi. Silvinjo nuk pyeti për hierarkitë, apo emrat e skuadrave ku luajnë lojtarët. I besoi Ramadanit ‘çelsat’ e mesfushës para Bares, Gjasulës apo ndonjë tjetri. Besoi te muskujt dhe sakrifica e këtij lojtari, ndërkohë që e rriti shumë dhe taktikisht atë, duke e bërë një kolonë shumë të fortë të skuadrës.

Lëvizja e tretë është Nedim Bajrami titullar në një rreshtim, ku ky lojtar jep më të mirën. Më parë lojtari i Sasuolos ka luajtur më së shumti si zëvendësues dhe nuk ka mundur të tregojë vlerat e tij reale. Me Silvinjon është shfaqur jo vetëm si goleador, por si një 10-sh klasik, që vertikalizon dhe ekzekuton mjaft mirë çdo goditje standarde.

Lëvizja e katërt e Silvinjos, më e rëndësishmja dhe më e guximshmja, është ajo e Jasir Asanit. Trajneri jo vetëm e grumbulloi për herë të parë në Kombëtare, por e futi në formacion menjëherë. Pjesa tjetër pastaj dihet, gola spektakolarë dhe lojë rezultative e sulmuesit të djathtë. Asani është shumë i fortë në lojën një kundër një dhe Kombëtares i bën shumë punë, për të mos thënë është vendimtar.

Dhe të mendosh që më parë Jasir Asani nuk merrej fare në konsideratë. Duhej guximi i Silvinjos që ai të shpërthente me fanellën kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë