Irena Beqiraj

Futbolli e bën botën një vend më të trishtuar


Ndërsa në stadium këndohej -"Oh sa mirë me ken shqiptar”, unë mendoja – “oh sa mirë që nuk jam tifozë!” 

Arsyeja që nuk jam tifoze as me kombëtaren tonë apo fakti që asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në stadium shpjegohen thjeshtë nga ekonomistët e sjelljes ku kam mësuar se: "Futbolli e bën botën një vend më të trishtuar"

Ekonomistët e Universitetit të Sussex-it Peter Dolton dhe George MacKerron bazuar në 3 milionë përgjigje të të anketuarve llogaritën se lumturia që ndiejnë tifozët kur ekipi i tyre fiton tejkalohet nga trishtimi kur ekipi i tyre humbet. Studiuesit zbuluan, se në orën pasuese menjëherë pas fitores së ekipit një tifoz mund të ndihet rreth 3.9 pikë më i lumtur se zakonisht - pothuajse e njëjta lumturi që nxit dëgjimi i muzikës.

Por lumturia e tifozëve të ekipit fitues tejkalohet 2 herë nga 7.8 pikët e trishtimit shtesë që ndiejnë tifozët e ekipit tjetër pasi ekipi i tyre humbet.

Studiuesit i konsideruan rezultatet "mjaft dramatike" për shkak edhe të faktit se trishtimi pas humbjes zgjat për orë të tëra, ndërsa gëzimi pas fitores është i shkurtër.

Pra, humbja e djeshme  u ka rrëmbyer tifozëve shqiptarë rreth katërfishin e lumturisë që mund të kishin ndjerë në rast fitoreje.

Për më tepër, efektet e trishtimit të humbjes janë shumë më të mëdha për  tifozët që ishin në stadium.

Por pavarësisht trishtimit, është njerëzore edhe pse irracionale, që tifozët të këmbëngulin edhe ta ndjekin kombëtaren apo skuadrën e preferuar pavarësisht humbjeve.

E para, sepse tifozët mbivlerësojnë në mënyrë sistematike mundësinë që ekipi i tyre të fitojë dhe kurrë nuk mësojnë nga përvojat e mëparshme. Edhe e dyta, siç thoshte Orwell tek libri 1984, "futbolli, birra dhe mbi të gjitha skedinat mbushnin horizontet e mendjes së tyre!"

Trishtimi i humbjes bëhet edhe më i dukshëm tek përpjekja e kotë për të arsyetuar humbjen apo rëndësia  që u jepet detajeve të ndeshjes duke anashkaluar faktin që futbolli është një lojë ku fituesi i merr të gjitha.

 E pra, thënë shkurt kush nuk është tifoz i ka kursyer vetes trishtimin që shkakton irracionaliteti!


Copyright © Gazeta “Si”