Gazeta Si – Kualifikueset e Europianit 2025, që zhvillohet në Zvicër, kanë nisur me humbje për Kombëtaren e futbollit të femrave. Vajzat kuqezi u mundën sot 2-1 nga Luksemburgu në ndeshjen e parë eliminatore.
Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, e filloi ndeshjen me këtë formacion: Rexhepi, Maliqi, Bajraktari, Curraj, Gjini, Krasniqi, Doçi, Franja, Hila, F.Berisha, G.Berisha. Ndeshja u luajt në stadiumin “Émile Mayrisch”, në Luksemburg.
Kombëtares sonë iu anulua një gol i Megi Doçit në minutën e 31-të për pozicion jashtë loje. Në fundin e pjesës së parë Shqipëria kaloi në avantazh me Luçije Gjinin, por gjithçka u përmbys në pjesën e dytë.
Fortesa Berisha pati një mundësi të mirë për golin e dytë, por gjuajti jashtë me kokë, ndërsa trajneri Grima aktivizoi edhe Mimoza Hamidin dhe Kristina Maksutin.
Luksemburgu barazoi në minutën e 68-të dhe në fund gjeti edhe golin e fitores në ndeshjen e parë kualifikuese të Europianit. Më 9 prill vajzat kuqezi do të ndeshen me Estoninë në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.