Gazeta Si – “No pasaran”, ose “Nuk do të kalojnë!”. Slogani i famshëm i brigadave ndërkombëtare antifashiste, i krijuar gjatë Luftës Civile Spanjolle, bëhet kryefjala e gazetës franceze “L’Équipe” në ditën e gjysmëfinales Spanjë-Francë, por edhe dy ditë pas zgjedhjeve në Francë, me fitoren e së majtës kundër të gjitha parashikimeve.
Një kthesë e rëndësishme edhe për shumë lojtarë, të cilët e kishin ekspozuar veten, duke u përfshirë në politikë, si Mbappé dhe Koundé.
Kontrasti këtu është mes “mbrojtjes së çelikut” të skuadrës së Deschamps (vetëm 1 gol i pësuar dhe një penallti) dhe sulmit më të mirë të Euro 2024, 11 gola të shënuar.
Kjo është arsyeja pse titulli shoqërohet me një foto të repartit mbrojtës të ekipit. Të “Le Bleus”, me dy qendërmbrojtësit, Upamecano dhe Saliba që “ruajnë” portierin Maignan dhe anësorët, Théo Hernandez dhe Koundé.
Janë ata (bashkë me shtyllën e goditur nga Joao Felix i Portugalisë në çerekfinale të vendosura për penallti…), që kualifikuan Francën në gjysmëfinalen e Mynihut, jo Mbappé apo Griezmann, sulmuesit e pritshëm që mbetën të mbërthyer me golin e vetëm me penallti të shënuar nga Kylian dhe dy autogolat vendimtarë, për të mposhtur Austrinë në grup dhe Belgjikën në 1/8-at.
Titulli i gazetës franceze, përveç aludimeve historike e politike, luan pak edhe mbi këtë anomali, të një France aq sterile para portës, saqë “do të duhet të rezistojë kundër skuadrës më joshëse të turneut. ‘Les Bleus’ përforcojnë mbrojtjen e tyre të hekurt në përpjekje për të luajtur finalen e tyre të katërt që nga viti 2016 (midis Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës). Dhe ndoshta, synojnë të shënojnë edhe një gol me aksion” në këtë Euro 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.