Ka ndodhur

Fushë Krujë, të shtëna me armë zjarri ndaj lokalit të ish-shoferit të deputetit të zgjedhur Arjan Ndoj (video)

Gazeta Si – Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak pas mesnate në fshatin Krastë të Fushë Krujës, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në fasadën e jashtme të një lokali, i cili raportohet të jetë në pronësi të Mondi Vogas.

Më herët, ky i fundit ka qenë shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoj, i cili fitoi një mandat deputeti si kandidat i PD në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun e Durrësit.

Bëhet me dije se në një nga dhomat e hotelit përballë rrugës, ku breshëria e plumbave kapi katin e parë ku ndodhet restoranti dhe katin e dytë po flinte gjumë djali i pronarit.

Ndërsa Mandi Voga dhe pjesa tjetër e familjes po flinin në dhomat, në anën e pasme të hotelit. Gjithashtu dyshohet se kanë qenë dy persona të cilët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga kodra përballë hotelit.

Ndërkohë shenjat e plumbave janë të dukshme kudo në ambientet e lokalit dhe hotelit, madje edhe në tavullat e duhanit, si edhe në pemët përreth biznesit. Po ashtu në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja, megjithatë ende nuk dihen autorër dhe arsyet e të shtënave.

Voga u arrestua edhe në vitin 2020 nga Policia Rrugore në Tiranë, pasi lëvizte me makinë të blinduar e fenelina policie. Ai u padit edhe nga avokati Ilia Ilia se ishte një nga personat që e kishte dhunuar në Durrës.

Ndërkohë, ish-prokurori Arjan Ndoj i shpëtoi një atentati me armë zjarri në vitin 2019, ngjarje ku mbeti i vdekur shoferi i Ndojës në ato kohë, Andi Maloku, ndërsa ish-prokurori dhe miku i tij Aleksandër Laho mbetën të plagosur.

Për ngjarjen është dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, ndërsa po gjykohen edhe ish-anëtarët e bandës së Durrësit, Julian Meçe e Plarent Dervishaj.

Ndërsa në zgjedhjet e 11 majit, Ndoj kandidoi për Partinë Demokratike në Qarkun e Durrësit, duke fituar mandatin në Kuvendin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë