Treg

Rivlerësimi i pronave rinis në 1 janar 2026 me tatimin 5%. Çmimet e referencës në 11 qarqe

Gazeta Si – Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit 2026. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

“Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë që, nga data 1 Janar 2026 deri në datën 30 shtator 2026, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Kërkesat për rivlerësim të dorëzuara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat nuk janë procesuar brenda datës 30 shtator 2026,konsiderohen si objekt rivlerësimi sipas këtij ligji, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet deri në datë 31 dhjetor 2026″, – thuhet në projektligj.

Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.

“Përmes këtij procesi, pritet të rriten të ardhurat tatimore dhe të garantohet një trajtim më i drejtë fiskal mbi pasuritë e paluajtshme. Ligji përfshin gjithashtu rivlerësimin e pasurive në proces regjistrimi dhe përcakton procedurat për dorëzimin e kërkesave, llogaritjen e tatimit dhe pagesën përkatëse”.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap.

Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.

Ndërkohë, çmimet e reja të referencës, të propozuara nga Financat, bazohen në analizat e transaksioneve të shitblerjes gjatë periudhës 2022–2024 dhe prekin 11 qarqe të vendit, përfshirë Durrësin, Fierin, Korçën dhe Vlorën.

Ndarja e qyteteve në zona dhe përcaktimi i çmimeve është bërë sipas afërsisë me qendrat urbane, rrugët kryesore dhe zonat historike.

Vihet re një rritje e çmimeve të referencës në zonat turistike si Durrës dhe Vlorë. Në Durrës, çmimet variojnë sipas zonës nga 45 mijë deri në 200 mijë lekë për metër katror.

Çmimi maksimal përfshin pikërisht zonën e Portit të këtij qyteti bregdetar, ndërsa në zonën e Hamallajt dhe Gjirit të Lalzit, çmimi shkon në 140 mijë lekë për metër katror.

Në Vlorë, çmimin më të lartë e ka zona 1 në qytet me 140 mijë lekë, ndërsa ky çmim në Sazan llogaritet në 200 mijë lekë për metër katror. Ndërsa çmimi në Himarë në 5 zonat kadastrale varion nga 45 mijë deri në 140 mijë lekë për metër katror.

E vetmja bashki ku çmimet referuese nuk kanë ndryshuar është Bashkia Tiranë. Për kryeqytetin, do të vijojë të përdoret e njëjta skemë vlerësimi si më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë