Sondazhet e votuesve të mundshëm republikanë tregojnë se Donald Trumpi ka një epërsi të madhe ndaj sfiduesve të tjerë të deklaruar në zgjedhjet paraprake, përfshirë dy më të shquarit: Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe ish-nënpresidentin Mike Pence.
Zoti Trump mbetet sfidues pavarësisht se u bë i pari ish-president që përballet me akuza penale federale.
Strategu politik dhe veteran i pesë fushatave presidenciale republikane, Stuart Stevens nuk është i befasuar nga epërsia e fortë e ish presidentit.
“Kjo është partia e Trumpit. Dhe nuk shoh asnjë arsye për të besuar se çështjet ligjore që ai ka, do ta ndryshojnë këtë. Në shumë mënyra, thjesht e forcojnë zotin Trump. Ai ka arritur ta portretizojë veten me sukses si viktimë”.
Konkurrenti më i fundit në fushën republikane është ish-ligjvënësi Will Hurd nga Teksasi.
“…Nëse zgjedhim një politikan të dështuar, egoist si Donald Trump, i cili humbi Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë, të gjithë e dimë se Joe Biden do të fitojë përsëri”.
Pak nga republikanët e tjerë që kandidojnë janë po kaq kritikë të hapur ndaj zotit Trump. Përjashtim bën ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie.
“Donald Trumpi na bëri më të dobët,duke na ndarë edhe më shumë”.
Me përjashtim të zotit Pence, shumë në garë ka të ngjarë të marrin pjesë si kandidatë të mundshëm për postin e nënpresidentit, ose po e përdorin këtë sezon primaresh si një bazë për vitin 2028.
Ashtu si kryebashkiaku i Majamit, Francis Suarez, ata shënjestrojnë presidentin Biden dhe demokratët – jo Donald Trumpin.
“Nën këtë administratë, Amerika ka filluar përsëri të dyshojë në veten e saj”.
Cilido qoftë motivimi i tyre, ka një arsye të llogaritur në qasjen e kujdesshme të shumicës së kandidatëve ndaj ish presidentit Trump.
“Nëse pozicionohesh kundër Joe Bidenit, kjo është një gjë e mirë në zgjedhjet paraprake republikane. Por historia ka treguar se kur sulmon Donald Trumpin, ai të kundërsulmon shumë fort. Ndoshta Chris Christie është një përjashtim – por nuk mendoj se pjesa tjetër e tyre po kërkojnë të luftojnë me Donald Trumpin”.
Për votuesit, mundësia e tyre e parë për të vlerësuar shumë prej atyre që konkurrojnë për president do të vijë kur kandidatët të përballen drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, më 23 gusht – dita kur Partia Republikane ka planifikuar debatin e saj të parë të sezonit të primareve. (VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje