Ngjarje

Fushata e leximit, këtë vit drejt kopshteve dhe çerdheve

Suadela Balliu - “T’u lexojmë që të lexojnë”- këtë vit fushata e leximit, nismë e Ministrisë së Kulturës, parë si lëvizje kombëtare, do të shkojë deri tek kopshtet dhe çerdhet. Kështu rrëfen Drejtoresha për Librin pranë Ministrisë së Kulturës, Mimoza Hysa, pak ditë pasi ministrja Kumbaro zgjodhi qytetin e Kukësit për t’i dhënë udhë Lëvizjes Kombëtare për Lexim, ndërsa përballë qytetarëve të rinj e të rritur të qytetit verior, zgjodhi të evokojë shembullin e mësuesit Havzi Nela, i dënuar me varje në litar nga regjimi komunist, grahmat e fundit të sundimit, duke e quajtur martir të poezisë.Me shpresën se nga kjo “tokë pjellore për shpirtrat letrarë”, siç e cilësoi ministrja, kjo lëvizje do të prekë çdo cep të Shqipërisë, për të bindur një në një milion të lexojë e ta dojë librin.

Ministrja Kumbaro nè Kukës prezantoi Lëvizjen Kombëtare për Lexim 

Ky është i treti vit i kësaj nisme të edukimit përmes kulturës, por organizatorët kanë zgjedhur që nga “Takohemi për një libër” , ta ripagëzojnë si Lëvizja Kombëtare për Lexim. “Ndryshimi i emërtimit pasqyron ndryshimin në konceptimin e kësaj lëvizjeje, e cila nga viti në vit ka ardhur duke u ristrukturuar në funksion të arritjes së qëllimit final: jo më një fushatë e përkohshme, një apo disa mujore, por një lëvizje e qëndrueshme, më e shtrirë në kohë dhe më gjithëpërfshirëse”,  thotë Drejtoresha e Librit, ndërsa shton se që në vitin e parë, në vitin 2016, u ndje nevoja për një shtrirje, në hapësirë dhe në kohë, “nga muaji tetor i përcaktuar për fushatën, aktivitetet u shtrinë deri në dhjetor. Në vitin e dytë, 2017,  ishin vetë institucionet kulturore, bibliotekat dhe klubet e leximit që ngulmuan në vijueshmërinë e nismës.”  Kjo bëri që lëvizja të rikonceptohej, “në një frymë gjithëpërfshirëse dhe me objektiva më të përcaktuara.”

Do të ngrihen disa qendra pilot që përfshijnë 2 konsultore, 3 çerdhe dhe 12 shkolla periferike të 12 qarqeve të vendittë cilat do të shërbejnë si shembuj për çerdhet dhe shkollat e tjera.

Gjatë fushatës së vitit të kaluar, zbulon më tej Hysa, u krijuan dhe organizuan rrjetet e klubeve të leximit të të rinjve në të gjithë vendin,  me një fokus të veçantë në periferi. “Sot vërejmë se një pjesë e mirë e tyre kanë rezistuar: klubi i leximit të Prezës, Kamzës, Bushatit, Korçës, Pogradecit,  etj.”Lëvizja e këtij viti, synon të shtrihet gjatë gjithë vitit, ku vëmendja kryesore do të jetë në grupmoshat nga 0 deri në 14 vjeç, “me qëllim ndërgjegjësimin e edukimit që në lindje: një lexues edukohet në familje, që nga leximi me zë i prindit në moshë të vogël, dhe më pas i punës së mësuesit”, thekson Hysa.

Drejtoresha e Librit në ministrin Kulturës, Mimoza Hysa, gjatë aktivitetit "Takohemi për një Libër", 2017. 

Ajo rrëfen se do të ngrihen disa qendra pilot që përfshijnë 2 konsultore, 3 çerdhe dhe 12 shkolla periferike të 12 qarqeve të vendit, të cilat do të shërbejnë si shembuj për çerdhet dhe shkollat e tjera. “Puna me to do të nisë nga trajnimi paraprak i edukatoreve dhe  mësuesve të letërsisë pranë Bibliotekës Kombëtare, me synimin e marrjes së njohurive të nevojshme për mënyrën sesi mund të punohet me fëmijët e arsimit nëntëvjeçar,  për t’i afruar me librin.Gjithashtu kjo lëvizje ndërthuret me fondin për rijetëzimin e bibliotekave publike dhe shkollore, “Në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e përcaktuara si pilot do të zbatohet edhe projekti për furnizimin e bibliotekave të tyre me libra në përshtatje me moshën”, zbulon Drejtoresha e Librit në Ministrinë e Kulturës.

Lexuesit e vegjël do të stimulohen përmes dhurimit të librave. Platforma e shitjeve “Bukinist”,  që i është bashkuar që në nisje kësaj lëvizjeje,  do të dhurojë karta me një vlerë të përcaktuar për blerje librash për lexuesit e pasionuar. Ministria e Kulturës, vijon më tej Hysa, do të bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Arsimit për zbatimin e kësaj nisme në shkolla  si edhe  me Ministrinë e Shëndetësisë, për zbatimin në konsultore dhe me të gjitha bashkitë e rretheve, për zbatimin dhe përfshirjen e bibliotekave publike.

Veprimtaritë në thelb të kësaj lëvizjeje përgjigjet Hysa, kanë ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e leximit dhe edukimit të qytetarit të së ardhmes. “Ndërgjegjësimi sidomos i prindërve për leximin me zë dhe rrëfimin e përrallave që në moshë të vogël, ndërgjegjësimi dhe modelimi i praktikës së leximit në çerdhe dhe kopshte: “T’u lexojmë që të lexojnë””.Pritet që kjo lëvizje të promovojë edhe shërbimin e librit në bibliotekat e shkollave dhe të nxisë leximin përmes konkurseve të shkollave në nivel rrethesh, për bibliotekën e shkollës që ka qarkulluar më shumë libra.

Do të nisë nga trajnimi paraprak i edukatoreve dhe  mësuesve të letërsisë pranë Bibliotekës Kombëtare, me synimin e marrjes së njohurive të nevojshme për mënyrën sesi mund të punohet me fëmijët e arsimit nëntëvjeçar,  për t’i afruar me librin.

Të tjera veprimtari përfshijnë  “Një ditë në javë jashtë Bibliotekës”, përfshirja e personaliteteve në aktivitete për leximin dhe “ndërgjegjësimin e  të gjitha bashkive në vend për vëmendje të shtuar ndaj bibliotekave publike”. Hysa thotë se do të synohet të ngrihen biblioteka në bashkitë ku mungojnë dhe shtimin e pasurimin e atyre që janë jo funksionale. Sipas një artikulli të gazetares Esmeralda Keta, pushteti vendor duket se i ka lënë në harresë bibliotekat e qyteteve, të cilat siç shkruhet në këtë artikull mbijetojnë me shumë vështirësi, janë të mbushura me libra të vjetër, në godina të amortizuara, me rafte që nuk ajrosen,  çati që pikojnë, e që frekuentohen gjithnjë e nga më pak lexues.

Fushata e leximit, nisur nga Ministria e Kulturës synon të ndërgjegjësojë edhe televizionet kombëtare për hartimin e programeve për nxitje të kulturës së leximit. Për prezantimin e kësaj fushatë është zgjedhur muaji nëntor, muaj që përkon edhe me organizimin e përvitshëm të Panairit Kombëtar të Librit, por Hysa  thotë se kjo lëvizje nuk do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë të fundit, por “do të synojmë të jemi të pranishëm edhe aty për të arritur më të mirën e objektivave tona.”

Në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e përcaktuara si pilot do të zbatohet edhe projekti për furnizimin e bibliotekave të tyre me libra në përshtatje me moshën”,

Por a do të mjaftojnë këto fushata apo politikat e ngritura për nxitje të leximit të ulin shifrën drastike të paraqitur nga Instituti i Statistikave këtë verë, ku 1 milion shqiptarë rezultuan se kishin bërë një “pushim absolut” nga libri për një vit të tërë, gjatë 2017-ës? Cilat politika do të rezultonin efikase për ta përmbysur këtë shifër, në favor të librit? “Bind një në një milion të lexojë, bind mikun, shokun, fëmijën tënd ta dojë librin”, është slogani me të cilën kjo lëvizje nisi. Por natyrisht që lëvizja nuk do të mbetet te sloganet”, pranon Hysa, ndërsa shton se kjo situatë emergjence kërkon gjithaq një përgjigje emergjente dhe një plan për daljen nga kriza.

“Ekziston tashmë një “emergjencë leximi” në Shqipëri që reflektohet në të gjitha fushat: dije të cekëta, përgatitje sipërfaqësore për të përballuar sfidat e kohës, mungesë imagjinate për hartime projektesh e gjetje rrugëdaljeje.” Për Hysën, si njeri të lidhur drejtpërdrejt me librin, jo vetëm në rolin e drejtoreshës për Librin në Ministrinë e Arsimit por edhe si përkthyese, fati i një vendi “edhe në planin ekonomik e social është i lidhur ngushtë me fatin e librit: ku ka dije, ku ka bibliotekë, ku lexohet, ka dhe ide novative, ka gjithnjë një shteg të ri për të dalë nga situatat e vështira, për t’u matur me botën me inteligjencë dhe mençuri”, thotë ajo.

“Ekziston tashmë një “emergjencë leximi” në Shqipëri që reflektohet në të gjitha fushat: dije të cekëta, përgatitje sipërfaqësore për të përballuar sfidat e kohës, mungesë imagjinate për hartime projektesh e gjetje rrugëdaljeje.”

Për  nxitjen e mëtejshme drejt  leximit, Hysa zbulon se po përgatitet një ndërhyrje ligjore që do të synojë uljen e TVSH së shtypshkrimit të librit. “Duhet qartësuar se TVSH e librit në Shqipëri është zero në dalje, në shitje, por për të synuar shtimin e lexuesit, uljen e çmimit të librit, do të duheshin ndërhyrje për lehtësime fiskale në fushën e librit.”Ministria e Kulturës po përgatit edhe ngritjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit,  që do të jetë organi i specializuar për zbatimin e politikave që kanë të bëjnë me librin dhe leximin. “Krijimi i  kësaj qendre do të krijojë kushte për rritjen e kapaciteteve financiare dhe shtimin e burimeve njerëzore në dispozicion për fushën e librit, rritjen e mundësisë për sigurimin e fondeve të jashtme dhe burimeve të tjera ndihmëse financiare, përfshirjen më të gjerë të krijuesve, përkthyesve dhe botuesve në projektet e librit dhe nxitjes së leximit.”

Por sa të suksesshme kanë qenë në këta tre vjet fushatat e leximit, kur vetëm një vit më parë shifrat rezultojnë më të ulëtat e regjistruara ndonjëherë të marrëdhënies që shqiptarët kanë me librin? Si mundet libri të kthehet në një medium të pëlqyeshëm, veçanërisht për brezat e rinj, ku smartphone-at – jo vetëm si fenomen lokal, por  si shqetësim global -  duket se po bëhen mediumi kryesor i marrjes së informacionit? Hysa, nga ana tjetër, thotë se rezultatet janë mbresëlënëse. Të paktën në terma sasiorë të numrit të aktiviteteve që janë zhvilluar. Ajo thotë se numërohen 200 të tilla të organizuara gjatë fushatave të dy viteve të kaluar, janë shtuar klubet e leximit dhe nismat private për organizime  leximi. “Të gjitha këto të përkthyera dhe në rritjen dyfish të numrit të shitjeve të librave gjatë periudhës së fushatës në vitet e kaluara.” Megjithëse botuesit, të pyetur edhe nga gazeta “Si”, kanë ngritur shqetësimin se prej disa vitesh shitjet e librave kanë rënë ndjeshëm.

Por me mbylljen e fushatës binte dhe intensiteti i aktiviteteve duke shpërbërë kështu punën e nisur”, pranon Hysa. Kjo ka çuar që këtë vit, fushata të shtrihet në kohë dhe të ketë koncept më të strukturuar.  “Për kthimin e librit në një medium të pëlqyeshëm kërkohet ndihmesa e të gjithëve”, ngre shqetësimin Hysa, duke shtuar se kjo nuk bëhet vetëm me politika dhe as vetëm me Ministrinë e Kulturës si aktor kryesor. Megjithatë, vetëm para pak ditësh është mbyllur aktiviteti “Tirana lexon” një nismë e Institutit Për Demokraci, Media dhe Kulturë, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ku në kryeqytet u organizuan një sërë aktivitetesh me në qendër librin dhe leximet publike.

Për  nxitjen e mëtejshme drejt  leximit, Hysa zbulon se po përgatitet një ndërhyrje ligjore që do të synojë uljen e TVSH së shtypshkrimit të librit.

Hysa është e bindur se që situata të ndryshojë dhe shifrat të anojnë më pozitive drejt leximit,   kërkon përfshirjen e një sërë aktorësh si atë të medieve të shkuara, televizioneve, rrjeteve sociale, të elitave të një vendi, të figurave që ndikojnë në publik,” pra të gjithë bashkë për një kauzë të rëndësishme: për më shumë qytetarë të mirë për këtë vend, për më pak kriminelë, vrasës dhe të paditur” , përfundon ajo. Suksesi i Lëvizjes Kombëtare për Lexim pritet të shihet në të dhëna të ardhshme statistikore, nëse shifra e shqiptarëve që nuk lexojnë do të jetë ulur, disi...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë