Nga Gazeta ‘Si’ – “Ëmbëlsirat janë shtrenjtuar këto ditë. Shkova të blej në një nga furrat e bukës të njohura në rugën ‘Myslym Shyri’, pashë që rritja është me 50 lek për produktet.”
Kështu thotë një zonjë e cila del nga dyqani duke mërmëritur. Rritja e pajustifikueshme e ka nervozuar. Ndërkohë që çmimet e prodhimeve të bukës nuk kanë ndryshuar.
“Zakonisht të dielave marr ëmbëlsira në këtë pastiçeri. Shoh sot që nga 150 lek, çmimi është rritur direkt me 200 lek. Shumë për një produkt si këto, pse duhet ti rritin kështu”, thotë zonja.
Edhe në furrat e tjera që tregtojnë produkte pastiçerie situata është e njëjtë. Me ndryshimet e çmimeve të energjisë elektrike për kategori të ndryshme të furrave të bukës, rritje kanë pësuar menjëherë produktet e pastiçerisë.
Për shkak të vëmendjes që ka patur pasoja e kategorizimit të çmimeve tek çmimi i bukës ku u tha se do të pësojë rritje, duket se pronarët e furrave të bukës kanë nisur menjëherë aplikimin e rritjes së çmimit për produkte të tjera të brumit, duke përgatitur situatën për 1 majin.
Për këtë produkt duket se nuk ka kontrolle duke qenë se nuk është i shportës, bazike. E megjithatë, ndonëse nga ana e drejtuesve të OSHEE Group dhe ministres Balluku është theksuar se nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike, rritja e produkteve në pastiçeri ka nisur, e mbi të gjitha para datës 1 maj.

“Ky është një çmim i subvencionuar dhe që ofron një konkurrencë të drejtë, pasi prej kohësh ka patur një shqetësim nga furrat e bukës, ku si furrat e bukës, ashtu dhe furrat e bukës me pastiçeri e bar-kafe kanë patur të njëjtin çmim energjie.
Subjektet që janë vetëm furrë buke do të paguajnë me të njëjtin çmim 7.6 lekë; furrat e bukës që tregtojnë dhe produkte pastiçerie do të paguajnë 9.5 lekë për kilovat dhe 12 lekë për kilovat do të paguajnë furrat e buke që funksionojnë edhe si bar-kafe”, u shpreh ministrja Balluku gjatë një inspektimi në një prej furrave të bukës që ka të integruar dhe pastiçerinë.
Ndërsa përfaqësues të shoqatës së prodhimi të brumit, bukës dhe pasticerive ka deklaruar disa herë që ky kategorizim sistemon situatën në terren dhe garanton konkurrencë të ndershme.
Nw takimin e sotëm, shoqata e Bukës, Pastiçerisë dhe Brumrave zhvilloi një takim informues mbi procedurat që do të ndiqen në zbatim të kësaj skeme, që parashikon 3 fasha çmimesh, në varësi të aktivitetit që ushtrojnë këto subjekte
“Çmimi do të ndryshojë në 1 maj në mënyrë automatike:7.6 lekë/kWh, shkon në 9.5 lekë/kWh. Të gjitha tarifat e tjera do të sistemohen në bazë të kërkesës së çdo subjekti individualisht, por po e cilësoj që të gjitha veprimet, sado të vonojnë, efekti financiar fillon nga data 1 maj”, – tha sot nënkryetari i Shoqatës së Bukës, Rasim Nela.
E megjithatë, duket se efektet financiare kanë nisur pa pritur 1 majin dhe kjo është evidente në të gjitha pastiçeritë që janë brenda furrave të bukës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



