Ka ndodhur

Furnizonte klinika dentare me materiale kontrabandë, në pranga 64-vjeçari

Gazeta Si – Një 64-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë, pasi është kapur teksa shiste materiale të kontrabanduara.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Rrugën e Bogdanëve, automjetin me drejtues shtetasin V. H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, produkte dhe materiale të ndryshme dentare, të dyshuara të kontrabanduara, me të cilat ky shtetas furnizonte klinika dhe laboratore dentare, në zona të ndryshme të Tiranës.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 64 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë