Irena Beqiraj
Fuqia e oligopolit, propozimi i opozitës për uljen e taksës edhe karikatura ‘Shefat e Senatit’
Në vitin 2011, Warren Buffett i tha Komisionit të Hetimit të Krizave Financiare: ”Vendimi i vetëm më i rëndësishëm në vlerësimin e një biznesi është fuqia për të vendosur çmimet. Nëse mund ta rrisni çmimin pa humbur tregun, pra nëse zotëroni një monopol ose oligopol, padyshim keni një biznes shumë të mirë.
Nëse keni një biznes të mirë, mund të blini një televizion me të cilin mund të ndikoni bindjet e publikut. Ndërkohë që nipi juaj, edhe pse idiot, mund ta drejtojë atë.”
Buffett, edhe pse ironik, është elegant dhe i rafinuar kur përcakton fuqinë e monopolit dhe oligopolit.
Uroj që këto rreshta t’i lexojë opozita, që të kuptojë se ulja e taksave nuk çon domosdoshmërisht në uljen e çmimeve. Për fat të keq, ekonomia nuk funksionon në bazë të ligjeve universale, ku dy edhe dy bëjnë katër dhe tre minus një bëjnë dy. Vendimet ekonomike merren nga njerëzit dhe sjellja njerëzore është përcaktuesi bazë i rezultateve të pritura. Asgjë rreth sjelljes njerëzore nuk është kaq e thjeshtë dhe universale.
Studimet empirike europiane tregojnë se edhe në tregje konkurruese (pra jo monopol dhe jo oligopol), sa herë që ka pasur rritje të normave të taksave, 55% e kësaj rritjeje është përkthyer në rritje çmimesh që në muajin e parë pas ndryshimit. Ndërkohë, në harkun kohor prej tre muajsh, rritja e normës së taksës është transmetuar e gjitha tek çmimi. Ndryshe ka ndodhur kur politikëbërësit kanë vendosur ulje të taksave: vetëm 13% e uljes së normës është reflektuar si ulje çmimesh për konsumatorin. Pjesa tjetër është reflektuar në rritjen e fitimeve të biznesit. Pra, transmetimi tek çmimi i uljes dhe i rritjes së taksave është i ndryshëm, duke treguar se në ekonomi 2+2 mund të bëjë edhe 5 dhe 3−1 mund të rezultojë sërish 3.
Pra, edhe kur tregu është konkurrues, ulja e taksave mund të reflektohet vetëm pjesërisht në ulje çmimi. Ndërsa kur tregu është oligopol, ku fuqinë për vendosjen e çmimit e kanë pak kompani, transmetimi i uljes së taksës tek çmimi është i papërfillshëm.
Për lexuesin jo ekonomist, tregu ka trajtë oligopolistike kur 5 kompani kontrollojnë më shumë se 60% të tregut.
Fatkeqësisht, të dhënat tregojnë se tregjet e importit të mishit, miellit, sheqerit dhe vajit janë të gjitha oligopol. Për shembull, tregu i mishit është i përqendruar në 5 kompani, të cilat mbajnë 85% të tregut për vitin 2024, përqendrim që është rritur krahasuar me vitin 2023, kur këto kompani mbanin 75%. Për më tepër, kufirin prej 60% e plotësojnë vetëm 3 kompanitë e para. Në këtë rast, kur 3 kompani janë përcaktuese të çmimit në treg, është e vështirë që mekanizmi i transmetimit të uljes së taksës tek ulja e çmimit të funksionojë siç pretendojnë deputetët e opozitës.
Pra, mesa duket, problemi më i vështirë për t’u adresuar, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, është prishja e oligopoleve. Për fat të keq, struktura oligopolistike shfaqet në shumë tregje, madje ka kompani që zotërojnë pozita dominuese në disa sektorë njëkohësisht, duke filluar nga tregu bankar, financiar dhe hidrokarbur, e deri te tregu ushqimor.
Ulja e taksave është morfina, një qetësues i përkohshëm, por kurrsesi trajtim i problemit strukturor të tregut. Unë nuk kam asnjë dyshim që qeveria që kemi është njohëse e mirë e dozës së morfinës që nevojitet për të mpirë publikun, por fakti që as opozita nuk ka takat të propozojë më shumë se morfinë, më kujton karikaturën e famshme politike të vitit 1889 nga Joseph Keppler, “Shefat e Senatit”. Ajo përshkruan monopolistët gjigantë që sundonin senatorët e vegjël dhe të nënshtruar në SHBA.
E pra, edhe Kuvendi ynë ka “shefat” e vet!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje