Ka ndodhur

Fundoset jahti në Zvërnec, shpëtojnë katër turistët italianë

Një skaf është mbytur në brigjet e Vlorës, pranë Zvërnecit, teksa kanë shpëtuar mrekullisht 4 shtetas italianë, mes tyre edhe një i mitur.

Skafi po kalonte në Zvërnec, por është përplasur me një shkëmb nënujor.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm 70 m nga bregu.

Katër personat që ndodheshin në skaf janë përpjekur të nxjerrin motoskafin nga uji, por është mbytur. Fatmirësisht ata kanë arritur të dalin në breg.

Në njoftimin e policisë shkruhet se rreth orës 05:30, në zonën e quajtur “Hunda e Plakut”, në plazhin e Zvërnecit një mjet lundrues (skaf), me drejtues shtetasin G. V., 61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin shtetasit M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë arritur të nxjerrin 4 shtetasit italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë