Kjo fundjavë pritet të jetë me temperatura të ulëta. Për këtë, Gazetasi.al ka menduar të sjellë dy receta që janë perfekte për fundjava të tilla. Të shtunën mund të gatuani levrek me pure patatesh dhe shafran e për të dielën “e shenjtë”, mund të gatuani fasule pllaqi prej Korçe.
Shef Armand Elezi ka treguar për Gazetasi.al ndoshta një prej recetave më të thjeshta për të gatuar levrekun por është një nga më të shijshmet.
Përbërësit:
Fileto levreku 200g
Patate 120g
Shafran 0.5g
Borzilok i freskët 10g
Vaj ulliri i virgjër 10ml
Një thelbi hudhër
Kripë, piper i zi sipas dëshirës
Përgatitja e recetës:
Qërojmë patatet, i presim në kubika dhe i vendosim të zien në ujë me kripë për 10 minuta. Ndërkohë që ziejmë patatet, marinojmë fileton e levrekut me kripë dhe piper të zi, vendosim vajin e ullirit në një enë, shtojmë shafranin dhe i përziejmë bashkë. E lyejmë fileton e levrekut nga ana e mishit me vajin e ullirit dhe shafranin, e vendosim në një tavë me letër furre fileton e levrekut, ku më pas e kalojmë në furrë në temperaturë 200 gradë për 5 minuta dhe ndërkohë pasi është zier patatja, e kalojmë në një enë duke i shtuar gjethet e borzilokut, hudhrën e shtypur, pak vaj ulliri, kripë dhe piper të zi, e bëjmë pure me mikser. Pasi kemi gati puren e patates, e servirim në pjatë së bashku me fileton e levrekut pasi është pjekur.
Ndërkohë, Albana Dulellari ka treguar recetën perfekte për të dielën e ftohtë, Fasule pllaqi prej Korçe
Përbërësit:
500 gr pllaqi
150gr llukanik i freskët
100 gr qepë e bardhë
70 gr karrota
3 thelpinj hudhër
300 gr salcë domate
Gjysëm tufe majdanoz
2 gjethe dafine
1 spec djegës
100 ml Verë e bardhë
100 ml Birrë Korce
50 ml uthull
Kripë/piper të freskët
100 ml Vaj ulliri
I vendosim pllaqitë një ditë para në ujë në mënyrë që të fryhen dhe të nesërmen do fillojmë ti gatuajmë. Në një tavë do i shpërlajmë mirë e mirë ditën e nesërme dhe i japim një valë e më pas i derdhim ujin dhe i shtojmë prap ujë të nxehtë dhe i valojmë sërish deri sa ato të ziejnë, jo plotësisht, diku të 10% i lëmë pa zier. Në një tenxhere tjetër do marrim qepë, karotë, hudhër. I skuqim mirë e mirë e më pas shtojmë salcën e domates, i valojmë që të bëhet gati gjella.
Llukanikun, pasi e kemi prerë në rrota, do ta skuqim shumë pak pasi ngaqë është i freskët, duhet të skuqet pak dhe e lëmë mënjanë.
Pasi i kemi bërë të gjitha gati, në një tavë shtojmë fasulet, gjellën që kemi përgatitur, pak verë të bardhë, birrë, uthull. Këto janë për të zbutur fasulet dhe për të lënë shije më të fortë dhe nga lart do shtojmë dhe llukanikun duke e shtypur që mos të mbesë në lartësi pasi mund të digjet.
E mbështjellim tavën me letër alumini dhe e fusim në furrë të piqet për një orë në temperaturë 160-170 gradë. 10 minuta para se ta heqim nga furra, do ta shtojmë temperaturën e furrës në 180-190 gradë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.