Ka ndodhur

Fundjavë e përgjakshme në rrugë, 2 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga aksidentet

Gazeta Si – Dy të vdekur dhe dhjetëra të plagosur është bilanci i disa aksidenteve të regjistrura të shtunën dhe të dielën në rrugët e vendit, ku për fat të keq në Korçë dhe Librazhd dy të rinj kanë humbur jetën.

Aksidente rrugore u regjistruan edhe të shtunën në Tiranë, Fier dhe Lushnjë, ku pati vetëm persona të lënduar.

Korçë – Një parakalim i gabuar i mori jetën një 36-vjeçari, ndërsa shkaktoi plagosjen e katër të tjerëve. Dy automjete u përplasën në aksin rrugor “Bilisht-Korçë” në afërsi të fshatit Belorta.

Automjeti tip “Volksvagen” që drejtohej nga 36-vjeçari Elvis Mizaku u përplas kokë më kokë me mjetin tip “Hyndai” që drejtohej nga 23-vjeçari Kristian Hoxha.

Nga përplasja e fortë, brenda makinës mbeti i bllokuar 36-vjeçari Mizaku, i cili mori plagë të rënda. Ai u nxor nga makina nga forcat zjarrfikëse, por i riu humbi jetën teksa po transportohej për në spital.

Nga aksidenti i rëndë të plagosur mbetën dhe 4 pasagjerët, të cilët ndodheshin në automjetin “Hyndai”.

Shoferi i kësaj makine, Kristian Hoxha dyshohet se kreu parakalimin e gabuar, që shkaktoi dhe humbjen e jetës së 36-vjeçarit Mizaku.  Ai shoqërua në polici. Grupi hetimor, dyshon se i riu lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Librazhd – Aksidenti tjetër ndodhi në rrugën Librazhd-Qafë Thanë, në vendin e quajtur Mbikalimi i Trenit ne Dragostunjë. Makina tip “Benz” doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e 18-vjeçarit Dorian Belba, i cili ishte pasagjer.

Ai po udhëtonte me bashkëmoshatarët e tij, kur në orën 20:00 të së dielës, makina e drejtuar nga 21-vjeçari Meglind Zeneli doli nga rruga duke përfunduar te shinat e trenit.

Sipas policisë, tre të plagosurit ndodhen për kurim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Rinas – Më herët, një aksident i trefishtë ndodhi mbrëmjen të dielës në Rinas, ku, tre mjete janë përplasur me njëra-tjetrën duke bllokuar rrugën e aeroportit. Policia nuk raportoi për persona të lënduar.

Fier – Ndërsa të shtunën, në Fier një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor në vendin e quajtur “Ura e Bacinozit” në aksin Fier-Seman. Drejtuesi i automjetit është plagosur dhe u dërgua urgjentisht drejt Spitalit Rajonal te Fierit.

Tiranë – Në kryeqytet, një aksident u regjistrua edhe në zonën e “5 Majit”, ku makina ka përplasur karrotrecin që ishte i parkuar duke bërë që pjesa e përparme e mjetet të futet poshtë tij.

Të plagosur kanë mbetur 4 të rinj që ndodheshin në makinë, të cilët janë transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën.

Lushnjë – Mesditën e të shtunës, një aksident ndodhi në aksin Fiershegan-Lushnjë pranë fshatit Barbullinjë, ku një furgon mallrash është përplasur me një fuoristradë tip “BMË”.

Sipas policisë, mjeti fuoristradë i ka prerë rrugën furgonit në kohën kur ka dalë nga një biznes në anë të rrugës. Drejtuesi është futur menjëherë në rrugën kryesore, duke shkaktuar kështu përplasjen.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i fuoristradës është plagosur rëndë dhe është dërguar në spitalin e Lushnjës për të marrë shërbimin mjekësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë