Para

Fundi i sezonit turistik, Banka e Shqipërisë ndërhyn në tregun valutor. Blen 12 mln euro

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë bleu 12 mln euro nga tregu për rezervën valutore, të ndarë në dy raunde me 10 dhe 2 mln. Plani fillestar i BSH ishte të blinte 5 deri në 10 mln në total.

Blerjet u bënë me një kurs mesatar 106.5 lek. Oferta e pjesëmarrësve në ankand këtë herë rezultoi mjaft e lartë, për një vlerë totale prej 22.4 milionë eurosh, duke dëshmuar dhe normalizimin e pjesshëm të kursit të këmbimit.

Gjatë ankandit të muajit gusht, kur euro po luhatej fort ndaj lekut, për shkak të ofertës së lartë në treg, BSH bleu vetëm 2.5 mln euro.

Deri më tani, BSH ka tërhequr nga tregu më shumë se 200 mln euro.

Funksioni i ankandeve ka qenë gjithmonë ai i rritjes së rezervës valutore, por me ‘përmbysjen’ e kursit euro-lek, Banka po e shfrytëzon edhe si një mekanizëm për ta stabilizuar atë.

Gjithsesi, fuqizimi i euros nga këto ankande nuk ka zgjatur më shumë se një javë. Ankandi i fundit u bë të premten e 22 shtatorit dhe efektet mund të jepen gjatë javës që ka nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë