Gazeta Si – Skënderbeu nuk do të jetë më pjesë e Superiores. Me barazimin e sotëm ndaj Dinamos, kjo skuadër kthehet në Kategorinë e Parë pas 13 vitesh. Për herë të fundit ka luajtur në këtë kategori sezonin 2008-2009.
Më pas Skënderbeu do të niste një cikël ndryshe nga historia e tij. Një cikël fitues me 7 tituj kampionë dhe me dy pjesëmarrje në grupet e Ligës së Europës, por edhe me një dënim shembullor. Korçarët janë dënuar nga UEFA me 10 vjet jashtë Kupave të Europës, pasi dyshohen për përfshirje në trukim ndeshjesh.

Goditjen e fundit sot ekipit juglindor ia ka dhënë një korçar, Sabien Lilaj. Mesfushori shënoi me penallti golin e barazimit për Dinamon në kohën shtesë dhe Skënderbeu ra matematikisht nga Superiorja. Merr fund kështu një erë në Korçë, me Skënderbeun që kthehet në futbollin inferior.
Tani mbetet të shihet çfarë organizimi do të ketë Skënderbeu për të ardhmen. Do të kemi një ekip që do synojë rikthimin e shpejtë në elitë, apo do të vuajë në Kategorinë e Parë?
Ekipi që do të shoqërojë korçarët një kategori më poshtë, sipas të gjitha gjasave, do të jetë Dinamo. Matematika i mban ende në lojë blutë, por qëndrimi për të është thuajse i pamundur. Dinamo dhe Skënderbeu janë dy nga emrat më të spikatur të futbollit shqiptar. Të dy bashkë kanë fituar 26 tituj kampionë në elitë.
Nga ky kampionat kanë mbetur edhe 3 javë për t’u zhvilluar. Tirana është shpallur kampione e Superiores, kurse Laçi nënkampion. Mbetet të përcaktohen edhe dy skuadrat e tjera, që do të marrin pjesë në Kupat e Europës. Në lojë janë Partizani, Kukësi dhe Vllaznia.
Vllaznia mundi 2-1 Kukësin në Shkodër, duke marrë vendin e tretë, me pikë të barabarta me Partizanin, nga 49. Çoba realizoi në shtesë golin e fitores, pasi më parë kishin shënuar Da Silva dhe Lulaj. Vështirësohet edhe më shumë objektivi europian për Kukësin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




