Nga Gazeta ‘SI’ – Me hyrjen e vitit të ri, Shqipëria ka vendosur masa të reja me qëllim luftimin e informalitetit ekonomik dhe rritjen e përdorimit të pagesave digjitale. Që nga 1 janari 2026, asnjë individ nuk mund të kryejë blerje me vlerë mbi 500 mijë lekë cash, ndërsa bizneset nuk mund të kryejnë transaksione me para në dorë mbi 100 mijë lekë me kompanitë e tjera.
Një tjetër detyrim i rëndësishëm i ligjit është pajisja me terminal POS për të gjitha bizneset, veçanërisht ato të sektorëve të shërbimit, akomodimit, transportit dhe tregtisë, për të lehtësuar pagesat me kartë nga klientët. Bizneset në këto sektorë kanë kohë deri më 31 maj 2026, ndërsa për të gjithë të tjerët afati përfundon më 31 dhjetor 2026.
Ky nismë, e quajtur “Cashless Albania” dhe e mbështetur nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, synon të rrisë përdorimin e pagesave elektronike dhe të formalizojë ekonominë, duke ulur qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se efektiviteti i projektit mund të jetë i kufizuar përballë një popullsie që ka besueshmëri të ulët në sistemet bankare dhe është mësuar të përdorë kryesisht para cash. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për muajin nëntor tregojnë se në vend qarkullonin 467 miliardë lekë jashtë sistemit bankar, një shifër rekord.
Sipas statistikave ndërkombëtare, Shqipëria renditet e treta në botë për përhapjen më të lartë të parasë cash, me 97% të totalit të parasë në qarkullim që ekziston jashtë bankave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



